Postoi videon ku thoshte se “donte një burrë si Luizi”, RTSH shkarkon nga puna spikeren

Disa javë më parë Emirjada Muço, gazetare prej 19 vitesh kishte publikuar në rrjetin e saj social një video nga vendi i punës, ku thoshte me sarkazëm se edhe ajo “do një burrë si Luizi”. Por punëdhënësit e saj në RTSH e kanë shkarkuar nga puna.

Këtë e ka bërë të ditur vetë gazetarja,  përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, ndërsa thotë se pas ekranit të RTSH-së fshihen njerëz të vegjël që mezi e prisnin që ajo të bënte një deklaratë të tillë në mënyrë që të kishin arsye për ta larguar.

Persona të tillë, sipas gazetares, nuk kanë bërë as 19 kronika në jetën e tyre dhe kanë harruar se skandalet e vërteta janë ato të qeverisë. Në letrën bashkangjitur postimit, shkruhet se gazetarja ka shkelur etikën dhe ka përdorur simbolet e RTSH në postimet e saj në rrjetet sociale.

Postimi:

Nga sot zyrtarisht nuk jam më pjesë e Televizionit Shqiptar. E them me keqardhje JO sepse nga sot jam e papunë por se ne atë ekran dhashë gjithshka kisha , madje dhe “vlerësimin” tim për fituesin e Big Brother Albania. Ajo cka ndodhi më bëri të kuptoj dhe të reflektoj se pas ekranit të madh e publik të RTSh fshihen disa njerëz të vegjël. Ata që mezi pritën “skandalin” e madh mediatik. Kam një falenderim për të gjithë ata miliona shikues që më kanë ndjekur dhe vlerësuar në këto 19 vite karrierë e cila u ndërpre përkohësisht nga njerëz të ciët nuk kanë bërë as 19 kronika në gjithë jetën e tyre. Gjithsesi i falënderoj këta drejtues që më bënë të kuptoj se ne c’batak është zhytur televizioni më i madh në vend. U morën me “skandalin” tim dhe harruan SKANDALET e vërteta sic janë.

Punësimet pa asnjë kriter

Vjedhjet me tendera e karburante

Bindja e verbër ndaj politikanëve të mëdhenj e të vegjël e shumë e shumë të tjera! Në rrugëtimin tim si gazetare i kam mëshuar fort kryefjales së këtij profesioni ” Fjalës së lirë” , pasqyrimit real të problematikave, kronikave në shërbim të qytetarëve e cila jo pak herë më ka penalizuar nga drejtues te Rtsh. p.s Rrugëtimi im vazhdon , mund ti heqësh një gazetari punën por jo penën.

Limit.al