Osteoporoza është një sëmundje e skeletit. Shenjat karakteristike të saj janë: pakësimi i masës kockore dhe ndryshimet e strukturës së kockës, e cila bëhet poroze (e sfungjertë, si hojet e bletës). Për këtë arsye, kocka dobësohet dhe pëson mjaft lehtë fraktura (thyerje). Këto të fundit janë më të shpeshta në kockat e vertebrave, të legenit dhe të duarve.

Meqenëse osteoporoza qëndron për shumë kohë asimptomatike, frakturat spontane (pa goditje nga jashtë) mund të jenë manifestimi i parë i saj. Si shkak i tyre mund të shërbejë edhe vetëm ngritja e një çante ose kollitja.

Sipas vlerësimeve të OBSH, osteoporoza bën pjesë tek dhjetë sëmundjet më të shpeshta në botë dhe përfaqëson një nga problemet më të rëndësishme të shëndetit publik.

Shkaqet

Në kushte normale, në nivelin e kockës egziston një ekuilibër ndërmjet qelizave që ndërtojnë kockën dhe qelizave që e shkatërrojnë atë. Pikërisht kur prishet ky ekuilibër, mund të shfaqet osteoporoza.

Pothuajse 95% e pacientëve vuajnë nga osteoporoza parësore. Kjo formë e osteoporozës varet nga mosha, nga metabolizmi hormonal dhe ai i kalciumit, dhe nuk është pasojë e ndonjë shkaku konkret të njohur. Personat e hollë (të dobët) duket se preken më shumë se të tjerët, për shkak të masës kockore të pakët. Për më tepër, skeleti i tyre reagon më tepër ndaj mbingarkesave.

Shkaku kryesor i osteoporozës është ulja e përqëndrimit në gjak të estrogjeneve (hormone femërore), që shfaqet pas menopauzës.

Njihen gjithashtu edhe disa sëmundje, që mund të favorizojnë shfaqjen e një osteoporoze, që në këtë rast quhet dytësore. Ndër to mund të përmendim:

  • Çrregullimet e metabolizmit të kalciumit
  • Çrregullimet e nivelit të kortizolit
  • Mangësia e hormoneve seksuale (estrogjen dhe progesteron)
  • Sëmundjet e tiroides (hipertireoza -funksioni i shtuar i tiroides)
  • Çrregullimet e tipit endokrin (diabeti i sheqerit)
  • Sëmundjet kronike të aparatit të tretjes

Simptomat

Osteoporoza qëndron për një kohë të gjatë pa simptoma. Rritja e katabolizmit (shkatërrimit) të kockës nuk shkakton asnjë simptomë. Dhimbjet mund të shfaqen vetëm në rastin e frakturave.

Ndër simptomat e mundshme përmendim:

  • Dhimbjet kockore, veçanërisht në shpinë.
  • Tendenca për fraktura spontane, pa shkak të jashtëm
  • Ngjeshja e vertebrave, për pasojë kërrusja e shpinës dhe humbja e lartësisë trupore
  • Forcimi i muskujve për shkak të pozicionit jo të përshtatshëm trupor

Trajtimi

Osteoporoza është një sëmundje e vështirë për t’u trajtuar. Për këtë arsye, parandalimi i saj luan një rol veçanërisht të rëndësishëm.

  • Masat e përgjithshme

Këto masa zbatohen si për parandalimin, ashtu edhe për trajtimin e osteoporozës.

  • Ushqyerja
  • Konsumi i ushqimeve të pasura me kalcium dhe lehtësisht të tretshme, si produktet e qumështit (veçanërisht djathi i fortë). Rekomandohet gjithashtu konsumi i perimeve që përmbajnë kalcium, si: lakra, brokoli, kopra, si dhe frutat si: rrushi pa fara, manaferrat, mjedra, etj.
  • Këshillohet ngrënia e disa vakteve të pasura me kalcium gjatë ditës, pasi sasinë më të madhe të kalciumit organizmi e merr pikërisht nëpërmjet aparatit të tretjes.
  • Në këtë këndvështrim, veçanërisht i pasur me kalcium duhet të jetë vakti i fundit (para gjumit). Kështu, në këtë vakt rekomandohet konsumi i kosit dhe jo i brumërave ose ëmbëlsirave, pasi ai pakëson shkatërrimin e kockës gjatë natës.
  • Të mos konsumohet shumë kafe, pasi nëse sasia e saj i kalon 4 filxhanë/ditë, nxit daljen e kalciumit nga organizmi nëpërmjet urinimit.
  • Të konsumohen sasi të kufizuara të disa ushqimeve të pasura në acid oksalik (si spinaqi, çaji i zi, etj.)
  • Të konsumohen sasi të mjaftueshme të ushqimeve që përmbajnë vitaminën K, si: perimet jeshile, produktet e qumështit, mishi, drithërat dhe frutat.
  • Aktiviteti fizik në ajër të pastër, pasi favorizon anabolizmin (formimin e kockës). Ekspozimi ndaj rrezeve ultraviolet nxit prodhimin e vitaminës D në lëkurë, që luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në proçesin e thithjes së kalciumit nga kocka.
  • Ndërprerja e duhanit
  • Konsumi i sasive të pakta të alkoolit /Medinfo.al /Limit.al