KOSOVË– Përfaqësues të familjeve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, nuk besojnë në zbardhjen e shpejtë të fatit të më të dashurve të tyre.
Ata dyshojnë edhe në rezultatet që mund të pasojnë pas miratimit të Deklaratës për të Zhdukurit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dyshime për rezultate konkrete kanë edhe ekspertë të drejtësisë që mirëpresin miratimin e deklaratës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në takimin e 2 majit në Bruksel, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit, përfshirë këtu të zhdukurit me forcë. Në deklaratë, mes tjerash thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen të bashkëpunojnë për identifikimin e vendvarreve të dyshimta për gjurmime dhe zotohen për dhënien e informacioneve të sakta që ndihmojnë gjetjen dhe identifikimin e Personave të Zhdukur nga 1 janari 1998 deri në fund të vitit 2000.
Nënshkrimi i Deklaratës për të zhdukurit, 24 vite pas përfundimit të luftës në Kosovës, pritet të ndikojë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Bajram Qerkini, nga Shoqata “Zëri i Prindërve”, në një prononcim për Radio Kosovën thotë se është i pakënaqur me përmbajtjen e ujdisë së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se nuk beson që marrëveshja do të ndikojë në shpejtimin e zbardhjes së fatit të të zhdukurve.
“Në krejt atë që e kam lexuar dhe e kam lexuar, asnjë fjalë të re nuk ka në deklaratë. Kjo e zvarritë procesin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, e kurrsesi nuk kanë sjellë një dakordim apo një shpresë të vogël që do të përshpejtohet procesi. Politika është përzier dhe nuk ka një herë asnjë shenjë. Asnjë hap përpara nuk ka me u bë”, tha ai.
Pak më optimist shprehet profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu, i cili për vite drejtoi Institutin për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ai thotë për Radio Kosovën se miratimi i deklaratës për të zhdukurit, në parim është gjë e mirë, por rezultatet e saj në praktikë mbetet të shihen.
“Kjo marrëveshje që është bërë tani ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e mirë, mirëpo është mjaft e dyshimtë se a do t’i përmbushë Serbia obligimet e saj. E them këtë, për shkak se Serbia në mënyrë sistematike dhe zyrtare i ka kidnapuar këta persona dhe një numër të madh prej tyre edhe i ka vrarë”, tha ai.
Sipas të dhënave, numri i personave që ende vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë është 1 mijë e 617. Në mesin e të zhdukurve janë edhe disa serbë e pjesëtarë të komuniteteve të tjera.
“Zhdukja e pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve në Kosovë nuk është bërë nga struktura shtetërore, e për rrjedhojë zbardhja e fatit të tyre mund të jetë më sfiduese”, thotë profesor Salihu./Telegrafi-Limit.al