Mykoza e gojës është një infeksion i mukozës së gojës, që shkaktohet nga kërpudhat e tipit të mykut, kryesisht nga kandida albikans.

Infeksioni është i shpeshtë tek bebet, për faktin se popullimi i mukozave të tyre nga mikrobet beninje nuk është ende i plotë, pra këto të fundit ende nuk janë dominuese kundrejt kërpudhave.

Shenjat karakteristike të sëmundjes janë pllakat e bardha dhe depozitimet e shkrifëta mbi mukozën (pjesën e brendshme) e faqes dhe mbi gjuhë. Gjithashtu, nga mykoza mund të preken edhe organe të tjera si ezofagu, sistemi tretës ose zonat gjenitale.

Tek bebet që shfaqin mykozën e gojës, shpesh mund të zhvillohet edhe mykoza e të ndenjurave.

-Shkaqet:

Mykoza e gojës shkaktohet kryesisht nga myku Kandida albikans.

Tek bebet, mykoza e gojës është veçanërisht e shpeshtë, sepse popullimi i mukozave nga mikrobet beninje (të favorshme) nuk është akoma i plotë. Të porsalindurit infektohen shpesh në vaginën e nënës gjatë lindjes.

Objektet e tilla si thithi i biberonit ose lodrat që futen në goj,ë mund të shpërthejnë një infeksion nëse nuk janë të sterilizuara.

Transmetimi i kërpudhave mund të kryhet edhe kur foshnja ushqehet me gji, nëpërmjet thithit të gjirit të nënës. Myku mund të transmetohet gjithashtu edhe nëpërmjet duarve të palara.

Fëmijët më të rritur mund të preken rrallë nga mykoza e gojës.

Shfaqja e mykozës së gojës mund të lidhet me një trajtim me antibiotikë ose kortizon.

Në mënyrë të veçantë, nga kjo sëmundje preken personat me imunitet të dobësuar, siç janë ata me diabet të sheqerit ose të prekur nga SIDA.

Protezat e dhëmbëve janë një faktor irritues i mukozës së gojës, që e bën atë më të ndjeshme dhe të prekshme nga myku. Veç kësaj, kërpudhat mund të gjenden gjithashtu në proteza, dhe të jenë në origjinën e infeksioneve të përsëritura.

-Simptomat:

Pacienti me mykozë të gojës paraqet këto simptoma:

  • Pllaka të bardha në gri, kryesisht mbi gjuhë dhe në pjesën e brendshme të faqeve.
  • Është e thjeshtë të bëhet dallimi ndërmjet një mykoze dhe mbetjeve të qumështit në gojë. Mjafton të hiqen depozitimet e bardha dhe poshtë tyre konstatohen zonat e inflamuara të lëkurës dhe ndonjëherë hemorragji të vogla poshtë tyre.
  • Shpesh, bebet nuk pijnë mjaftueshëm.
  • Ndonjëherë mund të shfaqet temperaturë e lehtë.
  • Ndjesia e djegies në gojë dhe/ose në grykë.
  • Tek bebet, shpesh mykoza e gojës shoqërohet me mykozën e të ndenjurave. Në këto raste, zona e të ndenjurave, që është e ngrohtë dhe e lagësht, përbën një terren ideal për vendosjen dhe rritjen e kërpudhave.

-Trajtimi:

Trajtimi i mykozës së gojës konsiston në:

  • Shpëlarjen e gojës dhe aplikimin në zonat e prekura të një medikamenti që lufton mykun, në formën e xhelit, i cili lehtëson simptomat.
  • Nëse mykoza është përhapur edhe në zorrë ose në organe të tjera, duhet të përdoren medikamente që luftojnë mykun me veprim të përgjithshëm.
  • Në rastin e dhimbjeve që pengojnë foshnjen të pijë qumësht, mund të përdoren medikamente që qetësojnë dhimbjet (antialgjike) dhe që ulin temperaturën (antipiretikë) kur ajo është e pranishme.
  • Foshnja duhet të pijë mjaftueshëm gji.

Përgjithësisht, trajtimi i një mykoze të gojës, të izoluar dhe të pandërlikuar, zgjat veçse disa ditë.

-Masat parandaluese:

Parandalimi i zhvillimit të mykozës së gojës konsiston në respektimin e masave të mëposhtme:

  1. Sterilizimi ose lavazhi i rregullt i sendeve që fut në gojë foshnja (thithi i biberonit, lodrat, etj).
  2. Gratë që ushqejnë fëmijët me gji duhet të lyejnë thithat e gjirit me pomada që luftojnë mykun.
  3. Trajtimi i mykozës vaginale në stadin përfundimtar të shtatzanisë. /Medinfo.al /Limit.al