KOSOVË– Me dyshime dhe shumë të panjohura – kështu i shohin familjarë të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë zotimet e udhëheqësv e të Kosovës dhe të Serbisë të bëra përmes Marrëveshjes bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Serbia, asnjëherë dhe në asnjë proces, nuk e ka iniciuar çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare dhe me prioritet.
Gjithmonë e ka parë si proces politik. Kurdo që i është dashur, e ka shfrytëzuar politikisht”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ahmet Grajçevci nga Obiliqi. Ai ka pasur shtatë anëtarë të familjes të zhdukur dhe për tre prej tyre nuk di ende asgjë. “Vetë fakti që nuk është vendosur si prioritet, por është vendosur në një vend me energjetikën ose të ngjashme, do të thotë se është diçka më pak e rëndësishme”, thotë Silvana Marinkoviq nga Graçanica, e cila e ka bashkëshortin të zhdukur.
Rreth 25 vjet më parë, lufta që nisi regjimi i atëhershëm i Serbisë në Kosovë, ka përfunduar me mbi 13.000 njerëz të vrarë dhe me mbi 6.000 të zhdukur. Mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe në Serbi, por nuk dihet ende për fatin e rreth 1.600 personave të zhdukur nga ajo kohë.
Çështja e të zhdukurve është përmendur në nenin 6 të Marrëveshjes bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia janë pajtuar në shkurt të këtij viti. Aty thuhet se “palët bien dakord që ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen”, në lidhje me këtë çështje. Në pikën e katërt të Aneksit për zbatimin e saj – për të cilin Kosova dhe Serbia janë dakorduar më 18 mars në Ohër – thuhet se “palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si çështje urgjente”. Familjarë të të pagjeturve thonë se askush nuk ua ka sqaruar dhe saktësuar se çfarë nënkupton Deklarata e përmendur. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, ajo duhet të ketë plan të zbatimit.
Çka është Deklarata për Personat e Zhdukur?
Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, i cili ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet për arritjen e pajtimit për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes bazë, thotë se për një deklaratë të tillë, tash e më shumë se një vit e gjysmë, Kosova dhe Serbia janë duke negociuar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetëson BE-ja. Por, sipas tij, Serbia e ka refuzuar deri tash miratimin e një Deklarate për të zhdukurit, duke ndryshuar dhe larguar paragrafë që ka kërkuar pala kosovare.
Sipas tij, një gjë e tillë e bën shtetin e Serbisë përgjegjës për krime të luftës në Kosovë. Ai shton se në Deklaratë duhet të përfshihet edhe qasja e palëve në të gjitha dokumentacionet – të shkruara, audio-vizuale apo çfarëdo qofshin – në arkivat shtetërore të të dyja vendeve, përfshirë edhe ato të klasifikuarat. Hoti beson se Deklarata për Personat e Zhdukur duhet të nënshkruhet brenda muajit prill të sivjetmë.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, nuk do që ta komentojë Deklaratën, duke thënë se teksti duhet të pranohet së pari nga kryenegociatorët e të dyja vendeve: Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq i Serbisë. Ai shpreson që një marrëveshje për këtë të arrihet në takimin e radhës të kryenegociatorëve , që do të mbahet më 4 prill.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë lëvizje të pikëpamjeve në lidhje me termin “persona të zhdukur me forcë”, Odalloviq thotë se punë e grupeve punuese të Komisionit është: kërkimi i personave të zhdukur, pastaj mbledhja dhe verifikimi i informacioneve, kryerja e zhvarrimeve dhe identifik imi, e jo “për të gjykuar ose cilësuar krimet e mundshme të luftës”. Ai nënvizon se kjo çështje humanitare do të duhej të zgjidhej në nivelin më të lartë politik.
Mosbesimi i familjarëve në presionin ndërkombëtar
Përfaqësuesit e familjarëve të personave të zhdukur vlerësojnë se trajtimi i një çështjeje humanitare, siç është zbardhja e fatit të personave të zhdukur, në një marrëveshje politike, lë pak vend për optimizëm.
Ahmet Grajçevci, njëherësh kryetar i Këshillit koordinues të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, thotë se autoritetet serbe nuk kanë pasur asnjëherë vullnet politik për ta zgjidhur çështjen e të zhdukurve të luftës. Sipas tij, këto autoritete vihen në lëvizje vetëm nën presionin e f ortë ndërkombëtar. Në rast se presioni do të mungojë, thotë ai, nuk do të zgjidhet as çështja e të zhdukurve. “Nëse Bashkimi Evropian, shtetet e Bashkimit Evropian që janë demokratike, e neglizhojnë, e shtyjnë ose e fshehin procesin e personave të zhdukur, atëherë unë nuk e di se si t’ia vë emrin kësaj”, thotë Grajçevci.
As Silvana Marinkoviq, nga Shoqata e Familjarëve të të Kidnapuarve dhe të Pagjeturve në Kosovë, nuk pret që Bashkimi Evropian të ushtrojë presion te palët për çështjen e të zhdukurve, e sidomos të atyre që, siç thotë ajo, janë kidnapuar pas hyrjes së forcave të NATO-s dhe të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, më 1999. “Numri më i madh i të kidnapuarve është në atë periudhë. Në qoftë se kjo do të zgjidhej, ata [autoritetet e atëhershme] do të ishin përgjegjës në mënyrë të dëshmuar për gjithë atë që ka ndodhur”, thotë Marinkoviq.
Fondi për të Drejtën Humanitare: Deklarata “e thatë”, nëse nuk ka edhe plan zbatimi
Zotimet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga të dyja palët – Kosova dhe Serbia, nuk kanë munguar as në të kaluarën, thotë Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Por, shton ai, rezultatet në praktikë kanë munguar.
Në rastin e tanishëm, siç thotë Blakaj, nëse Deklarata për Personat e Zhdukur miratohet nga Kosova dhe Serbia, por nuk përcillet me marrëveshje për një plan zbatimi, ajo do të mbetet “e thatë” dhe pa optimizëm se mund të ketë rezultate pozitive në praktikë. “Nëse prapa kësaj [Deklaratës për Persona të Zhdukur] qëndron një marrëveshje me pika konkrete, ku palët zotohen se do të ndërmarrin veprime konkrete, atëherë mund të shpresojmë se do të ketë zhvillime të reja dhe do të ketë një përparim kualitativ”, thotë Blakaj për Radion Evropa e Lirë.
Hoti: I besojmë BE-së dhe SHBA-së, por jo Serbisë
Andin Hoti thotë se në kuadër të Aneksit për zbatimin e Marrëveshjes bazë – ku hyn edhe pajtimi i palëve për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur – specifikohet krijimi i Komitetit të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, i cili do të sigurojë dhe mbikëqyrë zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes. Gjithashtu, kujton ai, në Aneks thuhet se palët mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta negative nga ana e BE-së, në rast se nuk i zbatojnë të gjitha dispozitat e Aneksit.
Odalloviq thotë se beson se këtë herë “do të jetë ndryshe”, por nuk ofron më shumë detaje. Deri më tash, çështja e personave të zhdukur është trajtuar disa herë në kuadër të dialogut në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në prill të vitit 2022, Bashkimi Evropian ka thënë se palët janë “shumë afër” një marrëveshjeje për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe se krejt çfarë ka mbetur për t’u bërë, është “harmonizimi i dy fjalëve”. Termi “me dhunë” për zhdukjen e personave gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99, në të cilin ka insistuar pala e Kosovës dhe është refuzuar nga Serbia, ka bllokuar deri më tash arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet palëve./REL-Limit.al