Haaland i lindur për rekorde, bëhet golashënuesi më i mirë në Premier League, gjatë një sezoni të vetëm

Erling Haaland ka lindur për të thyer rekorde. Bomberi norvegjez hyn në librat e historisë së futbollit anglez, me golin e shënuar ndaj West Ham-it, në fitoren 3-0.

22-vjeçari theu rekordin absolut të Alan Shearer dhe Andrew Cole, për golat e realizuar brenda një sezoni të vetëm futbollistik në Premier League.

Haaland realizoi golin e tij të 35-të në kampionat, e këtë gjë e bën që në sezonin e tij të parë te Manchester City, pas transferimit në verën e shkuar nga Dortmund.

Kështu ai theu rekordin që mbahej nga Shearer dhe Cole, të cilët kishin mundur të realizonin 34 gola, në një edicion të vetëm të Premier League.

Por sulmuesi i Cityt ka mundësinë t’a thellojë edhe më tej këtë rekord. Premier League do edhe 4 javë që të përfundojë, ndërkohë që Manchester City ka edhe 5 ndeshje për të zhvilluar. Asgjë s’mund t’a ndalë ‘përbindëshin’ Haaland të vijojë të shënojë gola të tjerë, e të thyej rekorde të njëpasnjëshme.

Për sa i përket sfidës, 2 golat e tjerë për skuadrën e Guardiolës i realizuan Nathan Ake dhe Phil Foden, ndërkohë që me triumfin ndaj West Ham-it, ‘The citizens’ i afrohen gjithnjë e më shumë titullit kampion.

Në ndeshjen tjetër, Liverpool mposhti me jo pak vështirësi Fulham-in. Të besuarit e Kloop fituan 1-0, me golin e vetëm të takimit, të shënuar nga Salah, në minutën e 39-të, falë një 11-metërshi./Limit.al

MANCHESTER CITY-WEST HAM (VIDEO)