Ballina Kosova Vuçiç e Kurti ranë dakort, kjo është Deklarata për të Zhdukurit, e...

Vuçiç e Kurti ranë dakort, kjo është Deklarata për të Zhdukurit, e cila u miratua në Bruksel

BRUKSEL-Bashkimi Europian ka publikuar këtë të martë Deklaratën për të Zhdukurit për të cilët kanë rënë dakort në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Aty deklarohet angazhimi i palëve për zbardhjen e personave të pagjetur nga periudha 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

Në deklaratë përfshihen edhe personat e zhdukur me forcë, një term ky për të cilin pala kosovare ka insistuar që të përfshihet me patjetër në deklaratë. Po ashtu të dy vendet janë dakortësuar për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur, kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet, dhe çdo dokument tjetër përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, nën posedimin e institucioneve të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst.

DEKLARATA:

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave ende të zhdukur për t’i mbyllur vuajtjet e më të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme,

 Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, i cili përfshin personat e zhdukur me forcë,

 Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e Personave të Zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,

 Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

Duke inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e Personave të Zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

Duke e njohur çështjen e Personave të Zhdukur si çështje humanitare,

Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet njerëzore të familjeve,

Ne angazhohemi së bashku:

-për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,

-për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,

-për të siguruar qasje të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst/

-për të vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave ende të zhdukur,

-për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,

-për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,

-për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,

-për të krijuar dhe të punuar së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur të mbetur,

-për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës. Detajet operacionale do të bien dakord në takimin e ardhshëm të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve. Miratimi i kësaj deklarate ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë Kurti e Vuçiq në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.