Kurti dhe Vuçiç miratojnë Deklaratën për ‘Të Zhdukurit’ nga lufta në Kosovë!

BRUKSEL- Në këtë deklaratë, dy liderët janë pajtuar për të dhënë informacione të nevojshme lidhur me gjetjen e personave të zdhukur nga 1 janari i vitit 1998 deri me 31 dhjetor 2000. Gjithashtu, theksohet se do të përdoret edhe teknologjia LIDAR për identifikimin e varrezave masive.

Deklarata u përmend si çëshjte urgjente edhe në raundin e dytë të bisedimeve mes dy liderve, më konkretisht në aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në Ohër. Për këtë çështje, më herët ka folur edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti. Ai ka thënë se pas nënshkrimit të deklaratës për ‘Personat e Zhdukur’, do të themelohet një komitet i përbashkët që do të kryesohet nga BE.

Ndërsa pas këtij hapi shton Hoti se do të kërkojnë shkëmbimin e informacioneve rreth personave të zhdukur. Ai shton se kanë informacione që Serbia i ka djegur trupat, mirëpo priten të dhëna të sakta për të verifikuar. Numri i personave të zhdukur është rreth 1600.

Ky është takimi i parë mes Vuçiç dhe Kurtit pasi arritën një marrëveshje në Ohër më 18 mars./Limit.al