Nga Korça ku mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar për prezantimin publik të propozimeve arkitektonike për rizhvillimin e stadiumit ‘Skënderbeu’, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dha një lajm të shumëpritur për vendin tonë.
Kreu i FSHF-së deklaroi se institucioni që ai drejton ka aplikuar për të pritur finalet e një Europiani në Shqipëri.
Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me tre bashkitë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, ka nisur një proces për rikonceptualizimin dhe rizhvillimin e komplekseve sportive dhe të stadiumeve të futbollit në qytetet e Durrësit, Korçës dhe Vlorës.
Armand Duka: Është një histori suksesi nuk fillon sot, por daton në vitin 2015, kur kombëtarja shqiptare e futbollit ishte vërtetë në vështirësi, ose e thënë ndryshe në hall, pasi nuk kishte ku të zhvillonte ndeshjet e saj ndërkombëtare. Dhe këtë hall Federata Shqiptare e Futbollit e çoi në Kryeministri, në zyrën e Kryeministrit Rama dhe bashkë me qeverinë nën kujdesin e Kryeministrit në një kohë rekord projektuam, ndërtuam dhe përfunduam “Elbasan Arenan”, stadium nga ku nisi rruga për të shkuar në finalet e Euro “Francë 2016”. Çdo shqiptar besoj se e kujton me kënaqësi pjesëmarrjen historike të Shqipërisë në finalet e Europianit.
Vitet që pasuan ndërtuam edhe dy stadiume të tjera me të njëjtin bashkëpunim me qeverinë shqiptare, atë të Shkodrës dhe të Kukësit.
Të tre këto stadiume kanë ndryshuar faqen e kampionateve shqiptare të futbollit. Futbollistët janë ndjerë më mirë, më të vlerësuar e kanë perfomuar më mirë, por edhe spektatorët e shtuar tashmë në shkallët e stadiumeve janë ndjerë më komodë e më komfort.
Në vitin 2017 filluam projektin ëndërr të Stadiumit Kombëtar, që e realizuam në dy vite dhe e inauguruam në nëntor 2019. Padyshim, një ndër veprat më të mira të realizuara ndonjëherë në Shqipëri, një stadium e një qendër atraksioni për Shqipërinë.
Falë kësaj kryevepre 25 maji 2022 do të mbahet mend gjatë, me organizimin e finales së UEFA Conference League në Tiranë, ku Arena jonë kombëtare solli Shqipërinë në qendër të opinionit mbarëbotëror dhe në një organizim perfekt.
Përveç tyre, kemi bërë ndërhyrje në shumë stadiume të tjera të vendit e kemi ndërtuar me dhjetëra fusha të reja stërvitjeje. Gjithë këto investime e kanë futur Shqipërinë në hartën e vendeve me infrastrukturë të zhvilluar, çka çoi në besimin që UEFA pati ndaj nesh duke na besuar organizimin e disa turneve ndërkombëtarë në Shqipëri dhe vetëm për vitin 2023 plot 10 të tilla.
Historia e suksesit vazhdon. Kryeministri në fillim të këtij viti lançoi idenë e ndërtimit të 3 stadiumeve të reja në Korçë, Durrës e Vlorë.
Nisur nga investimet e bëra, projektet e reja që po nisim, por edhe eksperienca e fituar në organizimin e eventeve të rëndësishme ndërkombëtare, FSHF ka aplikuar dhe do të jetë pjesë e garës për të organizuar në vendin tonë finalet e Kampionatit Europian për të rinj, në vitin 2025.
Jam i bindur që në bashkëpunim me qeverinë dhe me të gjitha faktorët e tjera, do t’ia dalim që ta fitojmë këtë garë dhe të kemi këtë event të rëndësishëm në Shqipëri. Do jetë vërtetë një ngjarje madhore shumë e rëndësishme për ne.
Me përfundimin e këtyre tre stadiumeve të reja, ndoshta dhe një të katërti në Tiranë, stadiumit “Selman Stërmasi”, marrim vendin e parë në rajon sa i përket infrastrukturës futbollistike.
Çka mbetet sfidë për të ardhmen janë ndërtimi i fushave të stërvitjeve në çdo qytet e fshat të Shqipërisë. Sepse nëse kemi ecur shumë përpara sa i përket stadiumeve, nuk mund ta themi të njëjtën gjë për fushat stërvitore, madje, mund të them se kemi mbetur shumë prapa.
Ne si FSHF kemi lançuar projektin e “100 fushave” dhe gjej rastin edhe njëherë, t’ju bëj thirrje të gjitha njësive vendore që të vënë në dispozicion të këtyre projekteve sipërfaqet e pronave dhe të investojmë së bashku. Meqë jemi në Korçë, në bashkëpunim me Bashkinë, nëse ndërtojmë 3 apo 4 fusha të reja, e theksoj të reja, jo rikonstruksione, ato do t’i shërbenin më së miri zhvillimit të futbollit në këtë qytet. Dhe meqë jemi tek kjo temë: Urime Skënderbeut për rikthimin në kategorinë Abissnet Superiore, urime presidentit Takaj dhe uroj që sa më parë ta shohim Skënderbeun në të njëjta kompeticione europiane.
I nderuar zoti Kryeministër,
Do të shfrytëzoj çdo moment e mundësi për të bindur ju, qeverinë dhe parlamentin për Ligjin e Sponsorizimit. Ju garantoj, – duke qenë edhe i fushës, – nuk do të jetë një peshë e përhershme në buxhetin e shtetit, jo një shpenzim i pakthyeshëm, por përkundrazi një investim shumë i suksesshëm.
Ky ligj do mund të hedhë themele të forta për industrinë e futbollit, duke sjellë më shumë taksa në buxhet. Edhe sot që flasim, futbolli ka një ndikim pozitiv në ekonomi me 146 milionë euro në vit. E nëse e kthejmë në një “industri të rëndë” si në shumë vende të Europës, ato taksa do të shumëfishohen./Limit.al