Inter përmbys Lazion me spektakël dhe kap zonën Champions, Napoli shtyn festën e titullit, Juve “ngec” në Bologna

Inter mori një triumf tepër të rëndësishëm ndaj Lazios në Seria A, duke i mposhtur me përmbysje. Sfida për llogari të javës së 32-të së kampionatit italian përfundoi me rezultatin 3-1. Felipe Anderson zhbllokoi rezultatin në minutën e 30-të në ‘San Siro’ për miqtë. Në 12 minutat e fundit të takimit, zikaltërit përmbysën gjithçka. Lautaro Martinez vendosi baraspeshën në të 78-ën dhe më pas Gosens kaloi në epërsi milanezët, në minutën e 83. Sulmuesi argjentinas realizoi dopietë personale, kur në minutën e 90-të, vulosi ndeshjen 3-1. Me këtë sukses, skuadra e Simone Inzaghit kap zonën Champions.

Salernitana i shtyn festën e titullit kampion Napolit. Në stadiumin ‘Diego Armando Maradona’ takimi mes tyre u mbyll në barazim 1-1. Edhe pse kaluan të parët në avantazh në minutën e 62-të, me Olivera, napoletanët nuk e ruajtën dot epërsinë numerike. Dia bëri të hesht të gjithë stadiumin, kur në minutën e 84-t barazoi ndeshjes. Kështu, skuadra e Spalletit shtyn festën e titullit kampion.

Ndërkohë, Juventus harron të fitojë në Seria A. Bardhezinjtë nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1, në transfertë ndaj Bolognas. Ky ishte hapi i katërt fals radhazi për torinezët, që më herët kishin pësuar 3 disfata të njëpasnjëshme. Orsolini gjeti rrugën e rrjetës për vendasit në minutën e 10-të nga pika e bardhë e penalltisë, teksa Milik gaboi një 11-metërsh në minutën e 31-të. Sulmuesi polak korrigjoi gabimin në minutën e 61-të, duke vendosur baraspeshën. Të besuarit e Allegrit komplikojnë kualifikimin për në Ligën e Kampioneve, sezonin e ardhshëm.

Në ndeshjet e tjera, Fiorentina shpartalloi Sampdorian 5-0, Sassuolon mundi Empolin 2-1, ndërsa Cremonese-Verona u mbyll 1-1./Limit.al