Nga sot më datë 1 maj, 9 Gjykata dhe Prokurori të Shkallës së Parë në rrethe do të shkrihen. Mbyllja e tyre do të bëhet në kuadër të zbatimit të hartës së re gjyqësore.
Gjykatat e Shkallës së Parë që shkrihen janë ajo e Tropojës, Matit, Kurbinit, Pukës, Krujës, Kavajës, Lushnjes, Përmetit edhe Pogradecit.
Bashkë me Gjykatat, do të mbyllen edhe Prokuroritë përkatëse, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët, sikurse edhe dosjet do të transferohen në Gjykatat e tjera.
Institucionet e drejtësisë nga Tropoja do të transferohen në Kukës, ndërsa ato të Matit në Dibër dhe të Pukës në Shkodër.
Gjykata dhe Prokuroria e Kurbinit do të zhvendoset në Lezhë, e Krujës në Tiranë dhe Kavajës në Durrës, ndërsa e Pogradecit në Korçë.
Dosjet gjyqësore të Lushnjes do të shkojnë në Fier dhe ato të Përmetit në Gjirokastër.
Godinat e Gjykatave dhe Prokurorive që mbyllen do të qëndrojnë të hapura, për depozitimin e padive dhe për çështje të tjera administrative për qytetarët.
Në vend mbeten 13 Gjykata e Prokurori të Shkallës së Parë, nga 23 që funksiononin më herët.
Harta e re gjyqësore parashikon 16 gjykata në Total, 13 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative./Limit.al