ZBARDHET rezoluta drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë për një gjuhë të përbashkët shqipe

KOSOVË– Pas takimit të dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ku një nga pikat kryesore të mbledhjes ishte abetarja e përbashkët këtë të dielë një rezolutë për një gjuhë të përbashkët shqipe i është drejtuar kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama.

Lajmi është bërë i ditur nga shkrimtari Migjen Kelmendi, i cili është njëri nga inciatorët e kësaj ideje. Përmes një postimi në Facebook Kelmendi ka shpërndarë dhe rezolutën drejtuar dy krerëve të qeverive.

Në këtë rezolutë, është kërkuar që në mbledhjen e dy qeverive, të nënshkruhet marrëveshja për procedurat e ngritjes, e përmbajtjes dhe funksionimin e komisionit ndërshtetëror për hartimin e propozimeve “Për një gjuhë shqipe të përbashkët”.

REZOLUTA:

PËR NJI GJUHË TË PËRBASHKËT SHQIPE
Shkodër, më 29. 04. 2023
R E Z O L U T Ë
Drejtuar
QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Në vëmendjen e posaçme të
KRYEMINISTRIT ZOTIT EDI RAMA
KRYEMINISTRIT ZOTIT ALBIN KURTI
Fort të nderuem Kryeministra,
Fort të nderuem Ministra,
Ne, nji grup qytetarësh shqiptarë dhe/ ose të huaj, përdorues të gjuhës shqipe, sot, nga takimi ynë në Shkodër iu bajmë me dije se solidarizohemi me kërkesën, që ju asht dërgue nga takimi i Tiranës, i datës 3. 12. 2022, për ngritjen e një komisioni ndërshtetërorë, me ekspertë “Për një gjuhë shqipe të përbashkët”.
Po ashtu solidarizohemi me peticionin, te linku si vijon https://www.change.org/…/p%C3%ABr-nj%C3%AB-gjuh%C3%AB…, që deri më sot asht nënshkrue nga mbi 1182 persona.
Asht rasti, që në mbledhjen ma të parë të dy qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, në Gjakovë, me datën 14 qershor 2023, ta nënshkruani marrëveshjen për procedurat e ngritjes, përbamjen dhe funksionimin e komisionit ndërshtetërorë, me ekspertë, për hartimin e propozimeve “Për një gjuhë shqipe të përbashkët”. Kësaj marrëveshjeje, në vijim mund t’i bashkohen edhe qeveritë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Malit të Zi.
Nuk ka fjalor të përbashkët të gjuhës shqipe apo kurrikula të përbashkëta mësimore, që mund të hartohen e të zbatohen si duhet, nëse ma së pari nuk e unifikojmë gjuhën tonë, duke e shtrirë në tanë shtratin e saj, siç aktet themeluese të shteteve tona e përcaktojnë.
Çështja e gjuhës shqipe asht sa kushtetuese, kombëtare, kulturore, shpirtënore, edhe ekonomike, se ndikon thelbësisht në prosperitetin e tanë shqiptarëve në Ballkan, që jetojnë në trojet e veta. Gjuha shqipe na bashkon e nuk ka sesi të na ndajë e diskriminojë si deri tash, mes vedi.
Asht koha për veprim./Limit.al