Qyfyret gajasëse të fushatës

Nga Leonard Veizi

Çfarë po ndodh me fushatën?

Ka ndezur motorra, ka futur marshet e po shkon drejt finishit. Por ndryshe nga automobilistët që marrin ndonjë medalje në qafë, fushata e sotme nesër të jep pushtetin.

Megjithatë, fushata nuk është se po sjell asnjë gjë të re. Djemtë e lodhur të politikës po sillen vërdallë si “kali në lëmë”.

Opozita e caraflitur nuk ka një program bazë. Pozita në pushtet nuk ka çfarë të japë më, plus që për program u mjafton ai i vjetri që vazhdon zbatohet “hap pas hapi”.

Populli nëpër salla të mbyllura e mitingje të hapura brohoret kot, e akoma më kot qesh. U bë ca kohë që fushatat elektorale janë kthyer në shkëmbim batutash.

Një pjesë e militantëve që dalin vrullshëm të dëgjojnë ç’do u thotë lideri janë pensionistë, ata që mbeten janë punonjës të administratës. Askujt prej tyre nuk i intereson të lëvizë krahu i pushtetit. Atyre që u leverdis janë të papunët. Por edhe ata janë vënë në radhë për t’u larguar nga vendi. Me shumë gjasa, pushteti do të mbajë përsëri nga selia ngjyrë vjollcë kobalt. Dhe punët do të ecin në të njëjtin shtrat ku janë futur prej kohësh. Asgjë nuk ndryshon.

Por fushata ka dhe qyfyre sa të gajasesh e të mbash barkun me dorë.

Qyfyri 1

Kot nuk thonë: “Miku i mirë në ditë të keqe”. Kështu po ndodh edhe me doktorin që promovon piktorin. Një emision televiziv, si ai “Fiks Fare” hodhi në treg një montazh ku Berisha në disa nga rrethet e Shqipërisë ka përmendur aq shumë Edi Ramën, si të ishte kryetari i shtabit të tij elektoral. Duke thënë vazhdimisht Rama, Rama, Rama, Rama… ka rrezik dhe kur të shkojë në kutinë e votimit votën ta hedhë për Ramën. Dhe kjo situatë të kujton Kadarenë që shkruan tek “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”:

-Prift, o prift jam unë/ Erdha të pajtohemi. Jam dakord ta zëvendësojmë kolonelin. Kam sjellë listat. Këtu ka plot ushtarë 1.82 të gjatë. Prift a më dëgjon? Ky është 1.82 i gjatë, ja dhe dy të tjerë 1.82… Një tjetër 1.82…, 1.82…, 1.82… Të gjithë janë 1.82. Prift. Ah… më duket se dhe unë jam 1.82.

 Qyfyri 2

Kandidatët për kryetar bashkish vazhdojnë avazin e vjetër të premtimeve: ujë, drita e rrugë. Që nga Lufta e Parë Botërore kur austro-hungarezët e më pas italianët nisën të ndërtonin rrugë me asfalt në një vend që kishte vetëm rrugë qerresh, u bënë më shumë se 100 vjet që në Shqipëri vetëm premtohen rrugë. Ndërtohen rrugë. Dhe rrugët nuk mbarojnë asnjëherë. Një pëllëmbë vend. Imagjino të kishim territorin e Shteteve të Bashkuara, apo të Kanadasë…

Me dritat e kemi rregulluar ca punën, por sa i përket ujit… Edhe pse një vend që noton mbi ujëra, sërish, më shumë se sa tubit të Bashkisë, njerëzit u besojnë depozitave sipër tarracës. Ta kemi një kanoçe ujë për një ditë të zezë, se s’i dihet.

Qyfyri 3

Nga ana e tij Rama duket i qetë në llogore. Kërcen me gratë ku në sfond dëgjohen tingujt e një tallavaje që e quan si produkt të vetin. Ca kohë më parë i binte defit. Populizëm praktik.

Berisha ka si kolonë zanore të fushatës, një këngë metali. Ec aty doktor. Por nderi ia do të rrijë në logun e burrave se nuk është nga ata që kërcen me femrat.

Meta ndjek Berishën.

Nga Alibeaj, heshtje zgjedhore.

Në fund të fundit, duhet të kënaqemi me pak. Se kjo fushatë është disi më e mirë se ajo e katër viteve më parë kur opozita nuk u fut fare në zgjedhje dhe Rama mori Bashki sa deshi…, “nën sqetull”.

Qyfyri 4

Bordi uli çmimin e naftës.

Ka shkuar puna që për Bordin është adoptuar shprehja: “Ç’të bën Bordi s’ta bën as perëndia”. Çmimi i naftës vajti 260 lekë litrin dhe asnjë shqiptar nuk e mbylli makinën, përkundrazi, për solidaritet dolën të gjithë të bënin xhiro me makinë. Imagjino tani që bordi e çoi çmimin në 177 lekë litri. Tani do bëhen si centrifugë…, do vijnë vërdallë Unazës së Madhe.

Motive fushate, gjithsesi.

Në rrjete qarkullon një lajm për punë shoferësh, që demek do kenë lehtësira me patentat e me pagesat e gjobave, ku zbritja do të jetë deri në 50 përqind, nëse paraqiten në sportel jo brenda 5 ditëve por brenda 15 ditëve. Puna është ta marrësh me nge, se që do t’i paguash ajo dihet. Por dhe të të falin gjysmat nuk është pa gjë. Më mirë nuk ka ku shkon.

Se mos harron të votosh ore…?

Qyfyri 5

Rama thotë se nuk do bashkëpunojë me njësitë që do fitohen nga opozita. Me demek qendra do bëjë hasha anësorët. Armiqtë e klasës… Enveri të çonte në internim. Edi u pret investimet.

-Punë do t’u japim, por jo sipas oreksit!

Bllokadë. Shkoni ta blini grurin në Francë, po deshët!

Qyfyri 6

Belind Këlliçi bën publik në bollborderat që administrohen nga Bashkia, një poster ku ka ngritur dy gishtat e mesit përpjetë. Bo, bo… Sharje me libër shtëpie, për të gjithë. Masakrohet nëpër rrjete sociale.

-U bone ti,…

Detyrohet të ndërrojë posterin.

-Hë mo se s’tha ndonjë gjë të madhe!

***

Fushata vazhdon. Kush e di sa qyfyre të tjera do të prodhojë deri në fund. Veç të kesh kohë t’i ndjekësh e të gajasesh sa të mbash barkun me dorë./Fjala.al