Manchester City i shuan ëndrrat për titullin kampion Arsenalit, duke i mposhtur në ndeshjen direkte mes tyre. Skuadra e Guardiolas shkatërroi në ‘Etihad Stadium’ londinezët me rezultatin 4-1. Kampionët në fuqi të Premier League dominuan duelin, ku Kevin De Bruyne ishte fantastik me paraqitjen e tij, me 2 gola të bukur dhe 1 asist. Mesfushori belg hapi sfidën në minutën e 7, e më pas realizoi dopietën personale në minutën e 54-t. Rrugën e rrjetës e gjetën edhe John Stones e Erling Haaland, në minutën e 95-të, ndërsa për topçinjtë golin e nderit e realizoi Rob Holding në të 86-ën. Tashmë diferenca mes Arsenalit dhe Manchester Cityt mbetet vetëm 2 pikë, por me ‘The citizens’ që kanë për të zhvilluar edhe dy ndeshje të prapambetura, e me kalendarin më favorizues.
MANCHESTER CITY-ARSENAL (VIDEO)
Chelsea nuk sheh dritë në fund të tunelit. Blutë e Londrës vijojnë me ecurinë negative në kampionat, duke u mposhtur sërish, kësaj radhe nga Brentford. Të besuarit e Frank Lampard u mundën 0-2 në ‘Stamford Bridge’. Një autogol i Azpilicuetas në minutën e 37-të dhe goli Mbeumo në të 78-ën vulosën dështimin e radhës të Chelseat. Londinezët kanë arritur të grumbullojnë vetëm 39 pikë, në 32 javë kampionat.
Fitore me përmbysje për Liverpoolin, që mposhti në transfertë West Hamin me shifrat 1-2. Me këtë sukses ‘The Reds’ shpresojnë ende për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm. Vendasit e nisën mirë takimin, duke kaluar në epërsi në minutën e 12-të, falë një goli mjaf të bukur nga Paquetà. 6 minuta më vonë Gakpo vendosi baraspeshën, ndërsa Matip në minutën e 67-të i dha fitoren skuadrës së Jurgen Klopp./Limit.al