Kupa e Shqipërisë, Tirana me një këmbë në finale, Vllaznia e bën “dramë” ndaj Egnatias

Tirana ka arritur një triumf të madh ndaj Teutës, në ndeshjen e parë gjysmë-finale të Kupës së Shqipërisë, me rezultatin 3-0. Bardheblutë me këtë rezultat janë me një këmbë në finale. Sfida e zhvilluar në ‘Elbasan Arena’ u dominua tërësisht nga skuadra kryeqytetase, të cilët zhbllokuan takimin në fundin e pjesës së parë. Takimi nisi i vakët, me të dyja ekipet që krijuan shumë pak raste për shënim, por që u zhbllokua në minutën e 43-të nga Florent Hasani. Gjithçka u konfirmua dhe nga sistemi VAR, pas protestave të lojtarëve të Teutës për një pozicion jashtë loje.

Edhe në pjesën e dytë, Tirana ishte më kërkuese dhe mori iniciativën për të sulmuar. Në minutën e 65-të bardheblutë gjejnë edhe golin e dytë. Behiratçe provon me një goditje me kokë, ndërkohë që Lulaj e devijon topin për ta çuar në rrjetë.

Brenda 1 minute lojë në të 68-ën, Gruda pengohet në zonë dhe durrsakët pretendojnë për penallti, me gjyqtarin që sinjalizon për gjithçka të rregullt. Më pas një kundërsulm i Lushkjes i cili pengohet brenda zonës që gjithashtu kërkon penallti, por nuk ka asgjë sipas arbitrit dhe VAR.

Pas vetëm 3 minutash, Tirana gjen edhe golin e tretë. Lushkja del i vetëm përballë Qirkos dhe nuk gabon duke çuar në epërsi të trefishtë skuadrën e Orges Shehit.

Gjithçka mbyllet 3-0 dhe Tirana shkon e qetë në ndeshjen e kthimit.

Ndërkohë në ndeshjen tjetër, Vllaznia mori një barazim dramatik në fund ndaj Egnatias me shifrat 1-1. Në ‘Loro Boriçi’ u luajt një sfidë interesante, me rrogozhinasit që treguan edhe njëherë që janë një ‘kockë’ e fortë për shkodranët. Në minutën e 68-të, një kundërsulm i jashtëzakonshëm i rrogozhinasve, me Duamena që kaloi këdo që i doli përpara, duke finalizuar saktësisht në fund.

Kur gjithçka po shkonte drejt përfundimit, Ardit Hoxhaj vendosi baraspeshën në sekondat e fundit të lojës.

Ndeshjet e dyta gjysmë-finale do të luhen më 11 maj./Limit.al