Në një seri pyetje-përgjigjesh në profilin e saj në Instagram, moderatorja Einxhel Shkira foli ndër të tjera për depresionin postpartum (depresionin pas lindjes).
Në fillim të videos, Einxhel u shpreh se nuk mjafton një postim për këtë temë – ndaj ajo do ta trajtojë gjerë e gjatë në një video në kanalin e saj në YouTube – e megjithatë ajo tha: “Mendoj se të gjitha e kalojmë…thjesht secila nga ne e përjeton dhe proceson në mënyrën e saj këtë lloj depresioni.”
“E di që është e vështirë dhe e keqja është që vetëm ne mund ta kuptojmë njëra-tjetrën, por do t’ju këshilloja ta përqëndroni të gjithë dashurinë te bebi dhe mirëqenia e tij dhe tek asgjë tjetër, asnjë shqetësim tjetër dhe asgjë rrotull,” tha Einxhel.
Kujtojmë se depresionin postpartum mund ta kalojnë edhe burrat, kur bëhen baballarë. Te gratë, nivelet e luhatshme hormonale dhe ndryshimet neurokimike që ndodhin në tru ndikojnë në një masë të madhe. Por në fakt, një studim i “American Journal of Human Biology” ka treguar se edhe burrat përjetojnë çrregullime hormonale pas lindjes së një fëmije. Ulja e nivelit të testosteronit mund të shtojë rrezikun e depresionit dhe ankthit.
Shtoji kësaj pasoja të tjera si stresi kronik, ushqyerja e parregullt dhe mungesa e gjumit, edhe ata i kanë të gjitha gjasat të kalojnë një episod depresioni, që në pakujdesi mund edhe të shndërrohet në depresion kronik./Limit.al