Vota PRO Kosovës në KiE ‘djeg’ Abazoviç-in, ‘telashe’ në parlament

MALI I ZI– Mbështetjae që Mali i Zi i dha Kosovës duke votuar pro saj që ajo të jetë pjesë e Këshillit të Europës me sa duket i ka ”kushtuar” shtrenjtë kryeministrit në detyrë Dritan Abazoviç. Këtë të enjte Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Parlamentit të Malit të Zi ka kërkuar që kreu i qeverisë të raportojë për këtë vendim.

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës e mbështeti dërgimin e kërkesës për votim tek Asambleja e saj Parlamentare më 24 prill, për të cilën votoi edhe përfaqësuesi i Malit të Zi. Nga 46 shtete sa ka Këshilli i Evropës, 33 votuan për.

Seanca dëgjimore e Abazoviç-it, i cili gjithashtu mban detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, u mbështet nga deputetët e Frontit Demokratik pro-rus (DF), ata të Partisë Popullore Socialiste pro-serbe (SNP) dhe Demokratëve, me sugjerimin e kryetarit të Komisionit, Miodrag Lekiç, shkruan REL.

Miodrag Lekiç:Të na shpjegojë metodën, me të cilën është vendosur që të përkrahet Kosova si anëtare e Këshillit të Evropës. Kjo çështje është e diskutueshme. Vendimi është marrë tepër lehtë kur janë duke u zhvilluar negociata të rëndësishme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Ai pretendon se hapja e kësaj çështjeje “nuk përfaqëson një politikë antishqiptare”. Fronti Demokratik njoftoi më herët se vendimi për pranimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës paraqet një mundësi për të filluar mbledhjen e nënshkrimeve në kishat dhe manastiret e Kishës Ortodokse Serbe për tërheqjen e vendimit të Malit të Zi për njohjen e Kosovës.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, kryeministri me origjinë shqiptare i Malit të Zi Dritan Abazoviç theksoi se Mali i Zi do të mbështesë integrimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.

Podgorica zyrtare e njohu Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviç, i cili u zëvendësua në gusht të vitit 2020 pas tre dekadash në pushtet./Limit.al