Napoli mposht Juven dhe është vetëm 90 minuta larg titullit, Milan e Inter bëjnë detyrën ndaj Lecces dhe Empolit

Juventus-Napoli ishte kryendeshja e javës së 31-të në Seria A. Skuadra e Spallettit arriti të triumfojë me rezultatin 0-1, me golin e vetëm të sfidës të shënuar nga Raspadori në çastet e fundit të ndeshjes. Napoletanët dolën me 3 pikë të arta nga ‘Allianz Stadium’, duke u afruar me vetëm 90 minuta larg titullit kampion.

Në Torino u zhvillua një ndeshje e ekuilibruar, por me miqtë që dominuan për sa i përket zotërimit të topit. Polemikat nuk munguan në këtë përballje, kur sistemi VAR ndërhyri në minutën e 83-të, duke i anulluar golin Di Marias, për shkak të një goditjeje dënimi të shkaktuar nga bardhezinjtë, në nisje të aksionit.

Më pas erdhi edhe goli kryesuesëve të kampionatit italian. Raspadori i dha suksesin në minutën e 93-të skuadrës së tij.

Kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje për tu zhvilluar, Napoli udhëheq në krye me 78 pikë, 17 pikë më shumë se vendi i dytë që mbahet nga Lazio.

Më herët, Milan mposhti me shifrat 2-0 Leccen. Kuqezinjtë iu falën golave të shënuar nga Rafael Leao, nga një për çdo pjesë.

Fillimisht portugezi realizoi me kokë në minutën e 40-të, e më pas me një aksion të bukur personal vulosi takimin në minutën e 75-të.

Në këtë mënyrë, të besuarit e Piolit rikthehen tek fitorja në kampionat, pas dy barazimeve radhazi dhe me entuziazmin e kualifikimit për në gjysmë-finale të Champions League.

Ndërkohë edhe Inter u rikthye tek suksesi në Seria A, pas 5 rezultateve negative. Zikaltërit mposhtën në transfertë Empolin me shifrat 0-3. Lukaku dhe Lautaro Martinez i dhanë fitoren ekipit të Simone Inzaghit.

Sulmuesi belg realizoi dopietë, me golat e shënuar në minutën e 48-të dhe 76-të, ndërsa Martinez në minutën e 88-të hipotekoi 3-pikëshin./Limit.al