Aksion antidrogë në Nikël, Policia kap me mijëra fidanë kanabis, në Kurbin arrestohet pronari i një banese

Efektivët e Policisë kryen një aksion antidrogë në zonën e Niklës, në Krujë.

Operacioni i uniformave blu u krye në zonat e pyllëzuara të Niklës, me synim parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Sipas Policisë, në kuadër të këtyre kontrolleve është bërë i mundur asgjësimi i 1,140 fidanëve lëndë narkotike kanabis sativa. Ndërkohë vijon puna për kapjen dhe identifikimin e autorëve, që kanë lidhje me parcelën ku u gjetën fidanët narkotikë me kanabis.

Njoftimi i Policisë:

Krujë/Kontrolle intensive në zona të pyllëzuara të Niklës, për parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Territor i pastër”

Pjesëmarrëse në këtë operacion, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, ato të Stacionit të Policisë Fushë Krujë, Forca e Posaçme Operacionale e DVP Durrës dhe FNSH Tiranë.

Konstatohen dhe asgjësohen 1140 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Territor i pastër”, i hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për intensifikimin e kontrolleve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave që në fazë fillestare, të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet e imtësishme të territorit, në terrene malore dhe në zona të pyllëzuara.

Kontrollet janë përqendruar në zonat e pyllëzuara të territoreve të Niklës dhe Fushë Krujës. Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë konstatuar 1140 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, në kubikë dhe të hedhur në tokë së fundi, me qëllim kultivimin. Fidanët u asgjësuan me anë të djegies.

Ndërkohë, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Krujë dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtyre tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Shërbime të shtuara të Policisë do të vijojnë kontrollet edhe gjatë ditëve të ardhshme, në të gjithë territorin e rrethit Krujë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Në një tjetër aksion të kryer nga ana e efektivëve të Policisë në Kurbin, u bë i mundur konstatimi nëpërmjet përdorimit të dronit, në një banesë, kultivimi në kubikë të fidanëve të kanabasit.

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 97 fidanët me kanabis në kubik dhe vuri në pranga pronarin e banesës, shtetasin Valentin Cara.

Njoftimi i Policisë:

Kurbin

Finalizohet operacioni policor i koduar “Imazhi”, për goditjen që në fazë fillestare të një tentative për kultivim të bimëve narkotike.

Operacioni, rezultat i kontrolleve në terren me shërbime të shtuara dhe logjistikë bashkëkohore.

Evidentohen nëpërmjet përdorimit të dronit, të fshehur pas një banese dhe të kultivuar në kubikë, fidanë të bimës narkotike cannabis sativa.

Kapet në flagrancë dhe arrestohet pronari i banesës, autor i dyshuar i këtij rasti kultivimi.

Në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për intensifikimin e kontrolleve, me shërbime të shtuara dhe logjistikë bashkëkohore, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave që në fazë fillestare, të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në kuadër të operacionit policor të koduar “Imazhi”, kanë goditur një rast tjetër të kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat i kontrolleve në kuadër të këtij operacioni, përmes përdorimit të dronit, u konstatuan në kubikë, 94 fidanë të dyshuar narkotikë kanabisi, të fshehur pas banesës së shtetasit V. C., i cili u arrestua në flagrancë si autor i dyshuar i këtij rasti kultivimit.

Fidanët e dyshuar narkotikë, në kubikë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Kontrollet në terren, në zona të pyllëzuara dhe në ambiente të tjera, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, vijojnë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme./Limit.al