Nga Andi Bushati
Ndërsa në Shqipëri intelektualët luajnë me shkrepse, duke gjëmuar për domosdoshmërinë e rinovimit të opozitës, në terren ndodh e kundërta, punohet sistematikisht për asgjesimin e saj. Ajo që ngjau të mërkurën është përtej kufirit të çdo imagjinate. KAS, i njohur si Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ, mori vendim se Sali Berisha nuk ka të drejtë të jetë kryetar i koalicionit që ai drejton, “Bashkë fitojmë”. Ndonëse anëtarët e këtij koalicioni e dërguan edhe me shkrim vullnetin e tyre se kë kishin zgjedhur për prijës, vendimi u shpall se ky rol i takonte Ilir Metës.
Kjo i ngjan atyre anekdodave të kohës së komunizmit, kur nëse dikush kishte rënë në dashuri dhe kërkonte të martohej, lagjja e pranonte, po i jepte një burrë tjetër. Ndyshimi është se fatkeqin e athershën e kishte shpallur me biografi të errët partia, ndërsa këtë të tanishmin Amerika.
Për tu bërë më seriozë, ndonëse në këto kushte është pothuajse e pamundur, vendimi i djeshëm spjegohet lehtë. Edi Rama dhe palaçot që ai ka emëruar si opozitarë, kanë nisur fushatën nën pretendimin se Sali Berisha po shpie votat e demokratëve tek një njeri që i ka tradhëtuar disa herë këta të fundit. Dhe për këtë qëllim politik KAS u investua që në fletën e votimit të shkruhet emri i Metës, me shpresën se në 14 maj dikush do bjerë pre e kësaj propagande banale. Pra arbitrat e zgjedhjeve u sollën thjeshtë si zara të interesave meskine të kryeministrit.
Dhe ky nuk është rasti i vetëm. I gjithë sistemi po sillet po njësoj. Fillimisht gjykata e apelit e Tiranës, me një vendim të paprecedent, duke pranuar si palë në gjykim, Alibeajn, që nuk qe i tillë, vendosi ti marrë vulën Berishës. Kështu u vendos se PD i takonte Lulzim Bashës pasi ky qe ende i regjistruar në gjykatë si kryetar. Por Basha ishte zhdukur dhe gjithë dynjaja e dinte se qe dorëhequr para një viti. Për këtë u shpik një letër e fallcifikuar, sikur që në mars 2022, Basha e kishte ditur se presidenti Begaj (athere nuk qe emeruar ende) do shpallte zgjedhje lokale këtë 14 maj. Ai mandatoi Alibeajn. Dhe në bazë të kësaj paçavureje gjithë sistemi vendosi se PD i takonte Enkelejdit, si trashigimtar i Lulit.
Por ndonëse u bë parti me vulë, qesharak në maksimum, Alibeaj nuk e luajti dot rolin e opozitës fallco që prish punë. Ai dështoi të nxirte kandidatë në mbi ⅔ e bashkive ku duhet të konkuronte. Prandaj, atij iu ngarkua një detyrë edhe më turpëruese. Të ankimohej në KAS. Pra ndonëse i kishin dhënë vulën e partisë, ku dihej botërisht se shumicë qe Berisha, ai nuk duhet ta lejonte këtë të fundit të qe as prijës i koalicionit të ri që themeloi me Metën. Alibeaj u bind dhe “arbitrat” e zgjedhjeve e vendosën.
Kjo kronologji e shkurtër e një manipulimi sistematik, nuk ka për qëllim të argumentojë një të vërtetë që e di gjithkush, atë të dënimit me vdekje të opozitës, as të nxjerrë në pah çmendurinë e një gare, ku Edi Rama bën fushatë me gojë dhe me spote kundër Saliut dhe Ilirit, kurse në letra, me financim, komisionerë dhe kohë televizive ka caktuar për rival “fake” Enkeleijdin. Ajo nuk synon as të bindë ndokënd se të gjitha trupat e ndërmjetëm, që duhet të jenë të barazlarguar në zgjedhje, janë shndërruar në vegla të një njeriu të vetëm.
Këtu ka një problem më të madh, etik dhe moral. Sepse në një kohë që sistemi punon si sahat svicerian për të asgjesuar çdo kundërshtar real të regjimit, ne kemi intelektualë që kanë luksin të luajnë me skrepse-, për të perifrazuar një varg të famshëm të Prevert-, duke predikuar se problemi më i madh i vendit është rinovimi i opozitës, pa u merakosur se kështu po kontribuojnë për ti vënë flakën demokracicë.
Duhen hapur sytë, ky mekanizëm vrastar që është konsoliduar, nuk ka qëllim të asgjesojë vetëm politikanin non grata, apo atë të kapur me bllok në dorë, por edhe Arlind Qorin, Endri Shabanin, madje dhe Bashën apo Alibeajn, nëse ata do të vendosnin një ditë të ishin kundërshtarë të vërtetë. Kjo bandë KASistësh, që ka zaptuar çdo institucion, kur e bën njëherë, është në gjendje ta shkelë gjithmonë ligjin në çdo rast që ia kërkon Edi Rama. Ata janë të pa ndjeshëm ndaj moralitetit, të lartë apo të ulët të viktimës, atë janë thjeshtë të verbër karshi padronit.
Prandaj, problemi kryesor në Shqipëri nuk është rinovimi i opozitës, por denoncimi intelektual dhe veprimi praktik kundër kësaj bande. Nëse këtë tabor nuk do e shqetësonin të vjetrit, të konsumuarit, të delegjitimuarit, Berisha dhe Meta, ata nuk do do zhysnin llërët në krim, për ti penguar ata.
Puna prioritare është të frenohen këta vrasës me pagesë shtetërore. Të kthehet barazia para ligjit për këdo, madje dhe për ata që ne i dyshojmë si të pa ndershëm e fajtorë. Ky qëndrim do të thotë të jesh i pastër moralisht dhe koherent intelektualisht. Ndërsa, mes kësaj katrahure, të kërkosh gjilpërën në kashtë, nuk bën gjë tjetër veçse luan me shkrepse, pa pasur gajle se shkrumbon gjithçka.
Këtë rol kanë marrë përsipër sot shumëkush që gdhihet dhe ngryset me shqetësimin për pastërtinë e opozitës. E nëse rryma e tyre fiton, nuk do jetë çudi, ti shohim si normalitet ngjarje që ende sot na duken absurde, kur ti vendos të bësh parti, po kryetarin ta cakton shteti. Madje, madje ka rrezik nuk do të qeshim më as me anekdodat e asaj kohe, kur se me kë do martoheshe e vendose lagjja./Lapsi.al