Masakra në Çikatovë/ Osmani dhe Kurti: Është koha të sjellim drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët

KOSOVË– mSot përkujtohet 24-vjetori i masakrës në fshatin Çikatovë e Vjetër të Komunës së Drenasit. Këtë të hënë krerët më të lartë të shtetit bën homazhe dhe vendosën lule te memoriali i ngritur në nderim të të vrarëve. Duke folur për masakrën e 17 prillit të vitit 1999, Kurti tha se në Çikatovë të Vjetër të Drenicës, jo vetëm që u vranë shqiptarët që jetonin në tokën e tyre dhe dëshironin veçse liri dhe paqe, por gjithashtu edhe kufomat e tyre u rrëmbyen dhe u dërguan në Serbi në varreza masive, në pesë varreza masive gjithsej mbi 950 shqiptarë.

Kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se me datën 30 maj bëhen 4 vjet prej se në Kuvendin e Republikës është amandamentuar Kodi i Procedurës Penale dhe është mundësuar që kriminelët serbë të gjykohen edhe në mungesë për krimet që i kanë kryer gjatë luftës.

Albin KurtiAta që u vranë këtu në Çikatovë të Vjetër u zbuluan si kufoma në Rudnicë të Rashkës. Pra në Rashkë atje ku krerët shtetërorë të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqësues politikë të listës serbe, me eksponentë të krimit të organizuar dhe me drejtues të strukturave paralele në Kosovë, kjo ndodhë pra në Rashkë të Serbisë. E në Rudnicë të Rashkës është një varrezë masive prej të cilës janë ekshumuar edhe shqiptarët e vrarë në Çikatovë të Vjetër nga forcat serbe para 24 vjetëve. Andaj, ne këtu si tre krerë të institucioneve shtetërore që jemi bëjmë thirrje edhe njëherë që Prokuroria e Shtetit, sistemi i drejtësisë në vendin tonë të jetë shumë më aktiv sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët. Nuk mund të presim që faktorët ndërkombëtarë do ta bëjnë punën tonë, nëse ne nuk e bëjmë së pari një gjë të tillë vet. Kosova është shtëpia jonë dhe ne e kemi për obligim shtetëror, kombëtar e qytetar, që të sjellim drejtësi për ata që derdhën gjakun për lirinë tonë të cilën e gëzojmë të gjithë ne sot.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se sot është prej ditëve më të trishta të përkujtimit të viktimave të luftës në Kosovë. Osmani u shpreh se masakra e Poklekut dhe ajo e Çikatovës së Vjetër janë edhe dëshmi e dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për viktimat. Osmani tha se kjo masakër, ashtu si edhe ajo në Çikatovë të Vjetër dëshmojnë egërsinë e këtij regjimi.

Vjosa OsmaniKëtu në Poklek ka ngjarë një holokaust i vërtetë. Siç edhe e dini, diku 54 anëtarë të familjeve Muqolli, Elshani dhe të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë, në fakt shumica e tyre fëmijë fillimisht janë ekzektuar pastaj janë djegur dy herë në mënyrë që të eliminohen gjurmët e këtij krimi të llahtarshëm të forcave serbe në Kosovë. Kjo është një ndër dëshmitë më të fuqishme se regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë dhe kishte për qëllim që asnjë shqiptarë të mos mbrtet në tokën e Kosovës. Njëkohësisht janë edhe dëshmi e dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për të gjitha këto viktima të popullit tonë. Personat që e kanë urdhëruar masakrën në Poklek, dihen me emër dhe mbiemër. Për ta janë mbledhur prova, por për fat të keq regjimi i sotëm në Serbi nuk po vendos drejtësi. Dhe ata që urdhëruan këto masakra po shpërblehen me pozicione edhe më të larta në Policinë e Serbisë./Limit.al