Tmerr në Tiranë, mori peng dhe dhunoi me sende të forta për 1 javë bashkëjetuesen, arrestohet 31-vjeçari

Një ngjarje e rëndë është mësuar këtë të dielë, në kryeqytet. Policia ka vënë në pranga 31-vjeçarin Gleard Gusholli, pasi ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij 28-vjeçare.

Sipas komunikatës së Policisë, Gusholli e ka mbajtur peng dhe dhunuar sistematikisht me sende të forta bashkëjetuesen, për 1 javë.

Nga dhuna e ushtruar, 28-vjeçara është dërguan në Spitalin e Traumës, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Së bashku me 31-vjeçarin, u arrestuan gjithashtu edhe 4 persona të tjerë. Më konkretisht, u vunë në pranga nga uniformat blu Besmir Nurçellari, 36 vjeç, Arjan Sheta, 41 vjeç, Bledi Kateshi, 27 vjeç dhe Erlind Kateshi, 42 vjeç.

Këta shtetas ndihmuan Gleard Gusholli duke fshehur provat, në mënyrë që Policia të mos binte në gjurmët e tij dhe duke e ndihmuar atë të arratisej.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Locked”.

I hoqi lirinë, për një javë, bashkëjetueses së tij, dhe e dhunoi vazhdimisht atë, me sende të forta, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.

Në pranga edhe 4 shtetas të tjerë që nuk kallëzuan krimin, përkrahën autorin e krimit dhe kryen veprime për të penguar zbulimin e së vërtetës. 

Sekuestrohen mjete për konsumimin e lëndëve narkotike dhe lëndë e dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën në banesën e 31-vjeçarit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të saj, pas informacioneve të siguruara për një shtetas që po mbante me forcë bashkëjetuesen e tij, në banesë, në rrugën “Frosina Plaku”, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Locked”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve:

 

– G. G., 31 vjeç, B. N., 36 vjeç, A. Sh., 41 vjeç, B. K., 27 vjeç, E. K., 42 vjeç, të pestë banues në Tiranë.

 

Shtetasi G. G. i ka hequr lirinë për një javë, bashkëjetueses së tij, të cilën e ka dhunuar vazhdimisht, me sende të forta, në banesë, në rrugën “Frosina Plaku”.

 

Shtetasit B. N. dhe A. Sh. nuk kanë kallëzuar krimin dhe kanë penguar zbulimin e së vërtetës duke tentuar të fshehin provat, ndërsa shtetasit B. K. dhe E. K., (vëllezër), kanë përkrahur autorin e krimit, duke e larguar atë nga vendi i ngjarjes.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete që përdoren për konsumimin e lëndëve narkotike, mbetje të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën në banesën e 31-vjeçarit, si dhe sende të forta me të cilat dyshohet se ai ka dhunuar 28-vjeçaren.

28-vjeçarja ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Limit.al