Myrto Uzuni heroi i Granadas, sulmuesi shqiptar drejt thyerjes së një rekordi për klubin

Myrto Uzuni vijon të jetë protagonist absolut në ligën e dytë spanjolle.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi sërish, në ndeshjen që Granada zhvilloi ndaj një rivali direkt, për t’u ngjitur në La Liga, siç është Las Palmas.

Beratasi shënoi golin e dytë në minutën e 41-të për skuadrën e tij, në fitoren 2-1 ndaj mysafirëve.

27-vjeçari bëri një vrapim galopant drejt portës kundërshtare, me mbrojtësit e Las Palmas të cilët e kishin të pamundur, të ndiqnin ritmin e shpejtë të Uzunit dhe me një goditje të saktë, mposhti edhe portierin.

Ky ishte goli i 21-të i futbollistit kuqezi në La Liga 2, i cili tashmë është kthyer në një hero për skuadrën e Granadas, duke e ndihmuar drejt ngjitjes në elitë. Myrto Uzuni i afrohet në këtë mënyrë edhe një rekordi personal me fanellën e Granadas.

Sulmuesi shqiptar është vetëm 2 gola larg shifrës së 23 realizimeve, që është edhe rekordi i klubit, për sa i përket rrjetave të tundura nga një futbollist i vetëm./Limit.al