“Nisi si diçka jo serioze, sot po bëhemi me dy fëmijë”, këngëtari shqiptar dhe partnerja e tij rrëfejnë sekretin e marrëdhënies së tyre

E mbani mend Alban Kondin, ish-pjesëtarin e “Produkt 28” dhe Eneida Zallin, çiftin që u martua vite më parë në syrin e publikut gjatë garës “Lufta e nuseve”? Ata ishin të ftuar ditën e djeshme në studion e Rudina Magjistarit ku folën për njohjen e tyre dhe bënë një rrëfim të rrallë për familjen. Çifti u kthye 15 vite pas, në fillimet e marrëdhënies së tyre për të cilën mendonin se nuk do të zgjaste.

“Unë isha studente në një fakultet tjetër dhe Albani në një fakultet tjetër. Kishim unë një shoqe, ky një shok që kishin punët e tyre bashkë. Unë shoqëroja shoqen, ky shoqëronte shokun dhe padashje aty filluam u ngatërruam edhe ne duke shkuar nëpër shkollat e njëri-tjetrit. Nisi si diçka normalisht kështu e lezetshme, jo me idenë që do ishte diçka shumë serioze, por ja ku jemi 15 vjet më pas.”-tha ajo.

Eneida mendon se çelësi i jetëgjatësisë së marrëdhënies së tyre është të qenurit shokë të ngushtë: “Jemi akoma shumë shokë të ngushtë, që nga fillimet tona kemi qenë shumë shokë përveçse partnerë të dashur e me radhë. Vazhdojmë të jemi akoma shumë shokë të ngushtë dhe them që kjo ka qenë një ndër gjërat që na ka mbajtur kaq gjatë dhe vazhdon të na mbajë kaq gjatë dhe të lidhur me njëri-tjetrin.”

Sakaq, ata janë vetëm pak javë larg takimit me djalin e tyre të dytë që do të vijë në jetë. Edhe pse rrëfyen se nuk janë ende të sigurt për emrin, zbuluan se kanë menduar për të zgjeruar edhe më tepër familjen. Çifti shtoi se është këmbëngulës për të pasur një vajzë në familje dhe do të tentojë derisa t’u realizohet dëshira.

“Me shtatzëninë e parë, me Floranin isha pak…si e trembur, në thonjëza po themi, merrja ato analizat dhe i shqyrtoja një më një dhe thoja pse më ka dalë kjo, pse më ka dalë kjo, kurse kësaj radhe kam qenë komplet e qetë, rehat, nuk e kam vrarë mendjen fare.”-tha Eneida./Klan