Milan i tregon vendin Napolit, Real Madrid mposht Chelsea-n dhe sheh drejt gjysmëfinales

Milan triumfon ndaj Napolit në ndeshjen e parë çerek-finale të Champions League. Kuqezinjtë fituan me rezultatin 1-0, në një ndeshje të luftuar deri në fund, nga të dyja skuadrat. Milanezët të ndihmuar edhe nga atmosfera elektrizuese e tifozëve në shkallët e ‘San Siros’, arritën të fitonin ndaj kryesuesëve të Serisë A, për herë të dytë brenda pak ditëve, pas asaj fitoreje në kampionat 0-4.

Napoletanët e nisën sfidën vrullshëm dhe në minutat e para vunë lojën nën kontroll. Milan ja doli t’i bëjë ballë trysnisë, e duke sulmuar portën kundërshtare me anë të kundërsulmeve. Pikërisht edhe nëpërmjet një kundërsulmi, Milan gjen golin e avantazhit. Një aksion i bukur sulmues, i nisur nga këmbët e Brahim Diaz, në minutën e 40-të, që finalizohet nga Bennacer, duke dërguar topin në fundin e rrjetës, e duke shpërthyer në festë tifozët në shkallët e stadiumit.

GOLI I BENNACER (VIDEO)

Tranversa shpëtoi Napolin nga goli i dytë, pasi goditja me kokë nga Kjaer, tronditi traun e portës së Meret, në minutën e 48-të të pjesës së parë.

Pjesa e dytë e lojës ishte më e ekuilibruar. Të kaltërit mbajtën më shumë qarkullimin e topit, por nuk ja dolën dot të mposhtnin portierin Maignan. Në minutën e 74-t, Anguissa la miqtë me 10 lojtarë në fushë, pas daljes jashtë me kartonin e dytë të verdhë. Gjithçka do të vendoset ditën e martë në duelin e kthimit që do të zhvillohet në ‘Diego Armando Maradona’.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Reali i Madridit triumfoi 2-0 ndaj Chelsea-t. Galaktikët me këtë sukses shohin drejt gjysmë-finales. Përtej një starti të vrullshëm të skuadrës së Lampard, sfida foli për madrilenët që dominuan në lojë e raste. Të besuarit e Ancelottit gjetën golin e epërsisë në minutën e 21-të me Benzema.

GOLI I BENZEMA (VIDEO)

Një kundërsulm i Rodrigos në të 59-n, solli edhe kartonin e kuq të Chilwell, i cili la skuadrën e tij me 10 futbollistë. Kjo ia bëri më të thjeshtë punën Realit, që gjeti edhe golin e dytë me Asension, në minutën e 74-t.

GOLI I ASENSIO (VIDEO)

Gjithçka mbyllet 2-0 në favor të madrilenëve, që shkojnë kështu të qetë drejt Londrës, në takimin e dytë./Limit.al