LAJM I MIRË/ Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve

KOSOVË– Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Shqipërisë kanë nënshkruar Protokollin Zbatues të Marrëveshjes Qeveritare për Regjimin e Trafikut Lokal në Zonat Kufitare. Kjo marrëveshje mes dy qeverive do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve që banojnë në zonat kufitare, në 26 vendkalime të veçanta kufitare.

Në një njoftim në rrjetet sociale kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkruan se kjo marrëveshje thellon edhe më tej bashkupunimin me qeverinë shqiptare. Ndër të tjera kreu i qeverisë së Kosovës bën me dije se nga dita e sotme mbi 200,000 shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë që banojnë në zonat deri në 30 km nga kufiri tokësor kanë të drejtë të kalojnë kufirin lirshëm dhe të qëndrojnë në zonën kufitare, për arsye sociale, kulturore, familjare etj.

POSTIMI I KURTIT:

Ministria e Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar Protokollin Zbatues të Marrëveshjes Qeveritare për Regjimin e Trafikut Lokal në Zonat Kufitare, duke mundësuar e jetësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve që banojnë në zonat kufitare, në 26 vendkalime të veçanta kufitare. Prej ditës së sotme, mbi 200,000 shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë që banojnë në zonat deri në 30 km nga kufiri tokësor kanë të drejtë të kalojnë kufirin lirshëm dhe të qëndrojnë në zonën kufitare, për arsye sociale, kulturore, familjare etj. Kjo Marrëveshje thellon edhe më tej bashkëpunimin tonë ndërshtetëror dhe lehtëson ndërveprimi e qytetarëve në të dy anët e kufirit./Limit.al