Durrësi dhe Apolonia në Google, platforma që reklamon mbi 2000 pasuri kulturore

Tashmë në platformën Google Arts&Culture, gjenden dhe parqet arkeologjike të Durrësit dhe Apolonisë.

Në këtë platformë gjenden mbi 2000 pasuri kulturore nga e gjithë bota.

Videot vijnë në formatin 360 gradë, ku përshkruhet në hollësi çdo gur, çdo objekt që gjendet si në rastin e parqeve arkeologjike të Durrësit dhe Apolonisë. Rrëfimi nis nga Amfiteatri i Durrësit, qytetit romak ku lindi perandori Anastasius.

“Aty do të gjeni një nga amfiteatrot më të mëdhenj në Ballkan të ndërtuar në shekullin II pas Krishtit, ku gladiatorët luftonin me njëri-tjetrin dhe kafshët e egra ekzotike, me një turmë të egër. Banjat romake dhe forumi janë gjithashtu të dukshme në qytetin e vjetër, ndërsa koleksioni mahnitës i figurinave terrakote të Venusit ruhen në Muzeun Arkeologjik Durrës”, shkruhet në materialin e përgatitur.

Rrugëtimi vazhdon me Apoloninë, si një tjetër sit i rëndësishëm në Shqipëri, në parkun ku ruhen disa mbetje të mrekullueshme nga periudha ilire, greke, romake dhe mesjetare.

Kjo sipërmarrje ka lindur në sajë të projektit “Rrugët Kulturore” të mbështetur nga Këshilli i Europës, për të zbuluar kryeqendrat e dikurshme europiane nëpërmjet këtyre dokumentimeve të cilat do të pasojnë me Butrintin dhe të tjera site e që promovojnë turizmin kulturor në syrin e botës.

Burimi: Euronews