“Shpërthejnë serat e kanabisit”, Policia kap 3 ambjente të kultivimit të drogës në Krujë e Fier

Dy sera kanabisi u zbuluan dhe u kapën nga Policia e Krujës, në zonën e fshatit Shkozë e Bardhë, në njësinë administrative Thumanë.

Gjithashtu në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 610 fidanë narkotikë kanabis sativa.

Policia bëri me dije se ka identifikuar autorët dhe i ka shpallur ata në kërkim. Bëhet fjalët për babë e bir Elez Rexhepi, 66 vjeç dhe Dashamir Rexhepi, 38 vjeç.

Ndërkohë është proceduar edhe kryeplaku i fshatit Shkozë e Bardhë, shtetasi R. M, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Njoftimi i Policisë Krujë:

Krujë/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Zhvillohet një tjetër operacion policor i bazuar në inteligjencën informative, i koduar “Shkoza e Bardhë”.

Zbulohen 2 sera në të cilat kishte të kultivuar në kubikë, 610 fidanë cannabis sativa.  

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 autorët e dyshuar (babë e bir).

Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit, për shpërdorim detyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike, bazuar dhe në inteligjencën informative, kanë vijuar kontrollet në territorin e fshatit Shkozë e Bardhë, në njësinë administrative Thumanë, Krujë.

Gjatë operacionit policor të koduar “Shkoza e Bardhë”, si rezultat i kontrollit të ushtruar në afërsi të banesës së shtetasve E. R. dhe D. R. (babë e bir), u zbuluan 2 sera në të cilat u gjetën të kultivuar në kubikë, 610 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Pjesa më e madhe e tyre u asgjësua me anë të djegies, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.    

Specialistët për Hetimin e Krimeve, në vijim të veprimeve për këtë rast, kanë shpallur në kërkim shtetasit E. R., 66 vjeç dhe D. R., 38 vjeç, pasi gjatë kontrollit që ka ushtruar Policia, ata nuk janë gjetur në banesë. 

 

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. M., me detyrë kryeplak i fshatit Shkozë e Bardhë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. 

Vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme. 

 

Ndërkohë, më herët në një tjetër aksion të Policisë së Fierit, u bë i mundur zbulimi i një sere me kanabis, me rreth 500 fidanë të mbjellë në vazo, në fshatin Ngjeqar të Roskovecit.

Në lidhje me këtë ngjarje efektivët vunë në pranga shtetasin Shaban Refitaj, 46 vjeç.

Droga ishte mbjellë në vazo, me qëllim kultivimin në tokë.

Njoftimi i Policisë Fier:

Roskovec, Fier/Intensifikim kontrollesh në zona malore, me qëllim parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Zbulohet një serë me rreth 500 fidanë kanabisi, të mbjellë në vazo, të gatshëm për t’u kultivuar në tokë.

Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i këtij rasti kultivimi, si dhe asgjësohen fidanët narkotikë.

Brenda 24 orësh, ky është rasti i dytë i goditur nga Policia e Fierit, i tentativës për kultivim të bimëve narkotike (në kubikë dhe në vazo).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të detyrave të marra në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar, për intensifikimin e kontrolleve në terren dhe në ambiente të mbyllura, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale që në fazë fillestare, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë goditur në kuadër të operacionit policor “Ngjeqar”, një rast tjetër të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit në fshatin Ngjeqar, në afërsi të liqenit të këtij fshati, shërbimet e Policisë zbuluan një serë të përshtatur për kultivimin në vazo, të rreth 500 fidanëve të dyshuar narkotikë kanabisi, të cilët u asgjësuan nga këto shërbime. Gjithashtu në kuadër të operacionit “Ngjeqar”, si autor i dyshuar i këtij rasti, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. R., 46 vjeç, banues në Ngjeqar, Roskovec.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme./Limit.al