Sytë

Sytë shohin, shihen, fshehin, fshihen.
Sytë ikin, largohen, sytë mërgohen.

Sytë ndrijnë, qeshin, ndizen, ndezin.
Sytë dashurojnë, dashurohen, sytë
verbohen.

Sytë lotojnë, pikëllojnë, harrohen, harrojnë.
Sytë ftohen e s’flasin, sytë vrasin.

Shtati ngrin kallkan, vdes,
sytë hapur mbesin,
kur shpirti shtegtimin merr
përtej universit.

Pres

U fik muzgu, u err nata,
Dhe unë rri, të pres,
Bëj të iki, s’më lë zemra,
Se më mban një shpresë.

Gdhiu dita, behu dielli,
Prapë më lind një shpresë,
Hëna lart u bë e plotë,
Më josh të të pres.

Ti nuk vjen, hënat ndërrojnë,
Unë i vetëm mbes,
Sa më shumë shpresën humb,
Aq më gjatë të pres.

Në mos ardhsh, as sot as kurrë,
Një jetë s’do të pres,
Se dhe pritja ka një fund,
Kur nuk ka më shpresë.

* * *
Në s’ardhsh më, në s’ardhsh kurrë,
Prapë unë do të pres,
Nëse shpresën humb, sa vlen,
Se rroj apo se vdes?

Ceni i Davidit

U mblodhën estetistë, njerëz të modës, anatomistë,
Një juri botërore e pakrijuar deri sot,
Për të zgjedhur të përsosurën bukuri të dheut,
Që kur i Plotfuqishmi e krijoi këtë botë.

Me radhë u shfaqën bukuri të skajshme,
Princesha oborresh, yje filmi, gra të tjera,
Circea, Nefertiti, Helenë e Trojës, e hershmja Eva…
Në fund u përzgjodh bukuria që pritej, Venera.

Por si në kontest u çmend njerëzimi,
Dhunshëm shfuqizoi përzgjedhësit e marrosur,
Që lanë jashtë gare modelin mashkullor,
Ku e ku nga femra më lart, i përsosur.

Sulmuan muzetë ekspertët e pamjes dhe sollën
Bukuri antike të derdhura në det-miti,
Që nga Adami, princa e gladiatorë,
Sfidant u shpall djaloshi Buonarrotas, Davidi.

Si për çdo herezi u përndez bota mbarë,
Ethja për trupin mashkullor si epidemi përmbyti,
E humbën garën adhuruesit e brishtësisë femërore,
Kampion i përbotshëm u shpall Davidi.

Brohoritma grash, gey-sh, si një piskamë therën qiejt,
Përballë Venerës, humbës u ndien burrat, të koritur,
Kur një “Uikiliks” solli faktin më të çuditshëm,
Dhe atë çast fati mori kthesë krejt të papritur.

Një cen i pranuar për hir të artit, një konvencion,
Njerëzit si nga transi i zgjoi dhe rezultatin përmbysi,
Simbol i bukurisë u rishpall botërisht Venera,
Davidi – humbës prej organit të fjetur në trup, penisit.

Natë polare

Të verbrit që kurrë s’e pa botën

Si Polifem ëndërron nereidat gjithësisë,
Kur shikimin ta zhvati nata grabitqare,
Errësira ngujuar syve të tu,
Pa dritë iluzive, as net polare.

Kur dielli lind, ndrit e perëndon,
Horizontit tutje përpihet aty,
Miliarda yje vezullojnë netëve,
Qiellit atje lart që kurrë s’e pe me sy.

Të verboi Zoti të mos e shohësh botën,
Të imagjinosh të padukshmen që s’shihet me sy,
Të prekësh të fshehtën, atë të përtejmen,
Për arsye sublime që veç Ai i di?

Një çast sikur të mundja të t’i falja sytë,
Arratinë të merrje me ta në gjithësi,
Por druaj se nga shkëlqimi i tepërt,
Mos humbje shikimin përsëri.

Përmasë shenjtërimi të jetë kjo çudi,
I epërm mbi shqisat, mbi çdo nënndjesi,
Ai verbim sheh, ku as dielli s’prek,
Dhe jep dritë mbi terr, mbi çdo gjithësi…?!

Rob i manive

I përzura komplekset nga vetja.
Inferioritetin
e nisa të parin…
Ik prej meje, dil,
kjo botë është e ashpër për ty,
maniak depresiv;

në kopshtet çehoviane shko,
shkarko fobitë,
s’ke strehim në trurin tim.
S’të lodhi përulja,
ndjesitë diabolike?
Sa herë i marr erë një luleje,
druaj se pas shpine,
thika më ngulet.

Supersticionet,
gra të pabesa,
i degdisa
në manastirin e harresës.

Ritualet i vara në kremastarë,
dalë nga preferenca prej kohësh.
I hoqa qafe lajkat, pa kortezi.

Madamë Pandehma – modus,
jashtë modës.

Grimcat e së përditshmes thërrasin:
Një ditë do të të vrasim!
Lojëra parandjenjash sajojnë numrat fatalë,
mezi presin të varem.

Zbraza raftet e trurit nga kotësitë,
përzura edhe ëndrrat.

Kur u shfaq ai, deliri i madhështisë,

kalorësi i gamiles me kryet në hava.
Jeto madhështinë, më dërdëllit,
kthehu në vetëdije,
bota është e ngushtë,
s’ka vend as për hijet.
Gëzo marrinë, gjigant!
më shkund deliranti.
E ndoqa pas,
askund s’gjeta

për të një kafaz.
(Por, më në fund,
në mund e stërmund,
tinëzisht, një ditë
e shpura delirin në kopshtin zoologjik,
kureshtarëve t’ua fal
si gjest filantropik.)

Estetikë

E pafalshme, dhunuese, arroganca e natyrës.
Prej pamjes, Kuazimodo e mallkoi kr

ijimin.
Sa do të donin të ngjanin si Esmeralda,
Të bëheshin “fli”, veç ta vrisnin shëmtimin.

Atë çfarë Zoti e krijoi të mangët,
Mjekësia estetike e kthen shpejt në hir,
Rilind krijesa me pamjen e ndryshuar,
Shndërrohet defekti në përsosmëri.

Ithtarë të natyrës klithin: Herezi!
Por shëmtimit, si djallit, i ikin me të katra,
I mallkojnë ndërhyrjet në trup e fytyrë,
Ndonëse e vuajnë dramën që u sjell plakja.

Rebelim ndaj natyrës, thërrasin, sakrilegj,
Por atë që vuan e çliron ky ndryshim,
Ia fshin përjetë ndjesinë e përuljes,

Që Krijuesi ia la mbi shpinë si mallkim.

Sikur ta hamendnim se vuajti Kleopatra,
Mbretëresha tekanjoze, shpirtngasëse.
Kompleksi i hundës ta ketë yshtur, vallë,
Të urrente pa fund, sa të bëhej vrasëse?

Ç’nuk po shpikin sot që dukjen ta ndryshojnë,

Me Venerën e guaskës së detit të maten…
Kur njerëzit për pamjen fajësojnë Krijuesin,
Ç’lutje pendestare do t’ua lanin mëkatet…?/Limit.al