Plagosja në veri/ Policia: Pezullohen 4 zyrtarë! Dyshohet se një efektiv qëlloi me armë. Lista Serbe reagon ashpër

KOSOVË– Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me plagosjen e Milan Jovanoviç të ndodhur mbrëmjen e djeshme në veri të Kosovës. Këtë të martë në një deklaratë të dytë për mediat Policia e Kosvës ka hedhur dritë mbi ngjarjen që duket se ka ‘acaruar’ sërish marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës.

Policia e Kosovës bën me dije se në lidhje me ngjarjen janë pezulluar nga detyra katër zyrtarë të policisë. Pas hetimeve të kryera ka dyshime se një efektiv mund të jetë përfshirë në plagosjen e Jovanoviç-t, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

NJOFTIMI I POLICISË:

Policia e Kosovës, lidhur me rastin ndodhur në orët e vona të datës 10.04.2023 në veri të vendit, ku nga arma e zjarrit ishte plagosur një person, ka vazhduar hetimet intensive me njësitet relevante policore nga niveli rajonal dhe ai qendror, me qëllim të hetimit dhe ndriçimit sa më parë të këtij rasti. Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri. Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara bëhet e ditur se janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, “nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Andaj me qëllim që të vazhdojmë të mbajmë të informuar opinionin mbi veprimet policore dhe të gjeturat nga hetimet zyrtare, dyshohet se një zyrtar policor është përfshirë në këtë rast dhe se për këtë Policia e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore menjëherë ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë kompetent për procedura të mëtejme penale. Njëkohësisht Policia e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorin e Shtetit, me qëllim që të vazhdojë të mbajë përgjegjës zyrtarët policorë, të cilët nuk përkojnë dhe veprojnë sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar dhe Lista Serbe, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale e ka quajtur atë tentativë vrasje nga ana e policisë së Kosovës dhe e ka dënuar një gjë të tillë. Ata kanë fajësuar Policinë se po ushtrojnë terror ndaj popullatës serbe në veri, ndërsa kanë kërkuar që urgjentisht Njësia Speciale të largohet nga veriu i Kosovës.

REAGIMI I LISTËS SERBE:

Lista serbe dënon ashpër tentativën për vrasjen e serbit Milan Jovanoviq nga forcat speciale të Kurtit në Urën e Bistricës, në rrugën Kosovska Mitrovicë – Leposaviç dhe kërkon tërheqjen urgjente të të gjitha njësive speciale që janë të pranishme ilegalisht në veri të Kosovës dhe Metohisë, dhe ngacmimi i vazhdueshëm i popullit serb në këtë zonë, ndëshkimi i përgjegjësve për tentativën e vrasjes së Milan Jovanoviç por edhe Miljan Deleviç dhe publikimi i videove të bëra nga kamerat në urën e Bistricës për të dyja ngjarjet e përmendura. Forcat speciale të Kurtit që janë ilegalisht të pranishme në veri të Kosovës dhe Metohisë kanë derdhur edhe një herë gjak serb dhe kanë tentuar të vrasin bashkëqytetarin tonë Milan Jovanoviq nga Zveçani në urën e Bistricës. Kjo pikë famëkeqe, ilegale e forcave speciale shqiptare është shndërruar në simbol të represionit të regjimit të Albin Kurtit mbi serbët, mbi të cilin u tentua për të dytën herë vrasja e një serbi. Zemërimi i mëtejshëm i qytetarëve provokon konstatimin se përgjegjësit për sulmet ndaj serbëve fshihen nga autoritetet më të larta në Prishtinë dhe ministri në krye të Sveçlës, i cili padyshim i mbështet veprimet ilegale të këtyre njësive. U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që urgjentisht të dënojnë egërsinë e këtyre njësive parapolicore që po shtypin qytetarët e thjeshtë dhe të kërkojnë tërheqjen e tyre nga veriu i Kosovës dhe Metohisë, për të rivendosur paqen në këtë zonë dhe për të parandaluar rrezikimin e jetës por edhe të paqes dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve./Limit.al