Njihuni me Perla Cingën, 10-vjeçaren shqiptare gjeni që dëshiron të bëhet shkencëtare

Perla Cinga është një 10 vjeçare nga Tirana që pavarësisht rezultateve të shkëlqyera në mësime e gjuhë të huaja, është gjithnjë në kërkim të dijes. Ajo po mëson gjuhë kineze, si gjuhën e së ardhmes, ndërsa shpreson që një ditë të bëhet shkencëtare me emër. “Në një test psikologjik jam klasifikuar si fëmijë gjeni, por kjo është arritur me punë. Pasi mbaroj shkollën unë shkoj çdo ditë në kurs. Çdo ditë do të kem një kurs dhe duke punuar kaq shumë kam arritur këtë rezultat.”

Perla Cinga ishte fare e vogël, kur prindërit e saj kuptuan se vajza e tyre ishte e veçantë. “Mua më ka pëlqyer shkenca që kur isha 7 vjeç. Kam lexuar enciklopedi, por në moshën 8-vjeçare jam fokusuar më shumë në shah. Kjo është medalje e çmimit të dytë për vajza. Në fakt jam ndeshur edhe me djem sepse nuk kishte shumë vajza, por kam fituar çmimin e dytë në Mal të Zi. Disa here ndihem dhe e veçantë.”

Ajo është nxënëse ekselente, ka inteligjencë të zhvilluar dhe është e apasionuar pas shkencës. “Pra lënda ime e preferuar nuk ka një emër të caktuar në shqip. E quajnë ‘inquarry’ dhe këtu ne mund të mësojmë për kafshët, natyrën, shkencën. Mua më pëlqen kaq shumë ‘inquarry’ sepse aty ne bëjmë projekte të ndryshme dhe mësojmë më shumë në atë lëndë sesa në lëndët e tjera .”

Edhe pse është vetëm në klasën e pestë, në të ardhmen, e sheh veten neurokirurge dhe shkencëtare, por jashtë Shqipërisë. Perla është bërë pjesë e Shoqatës së Ekselentëve dhe shumë shpejt do të konkurrojë në olimpiada të rëndësishme ballkanike dhe ndërkombëtare.

Së fundmi Perla ka marr pjesë dhe në konkursin ndërkombëtar të matematikës Kangur. Megjithë punën e palodhur që bën çdo ditë me veten, 10-vjeçarja ka një mesazh për të gjithë bashkëmoshatarët. “Mesazhi im është: Ndiqni ëndrrat tuaja.”/Shqiptarja.com