Ballina Kosova Deklaratat e Vuçiç ‘trazuan’ ujërat/ BE e ‘prerë’: Do ketë pasoja nëse...

Deklaratat e Vuçiç ‘trazuan’ ujërat/ BE e ‘prerë’: Do ketë pasoja nëse nuk zbatohet Marrëveshja e Ohrit

BRUKSEL– Bashkimi Europian ka paralajmëruar pasoja nëse marrëveshkja mes Kosovës dhe Serbisë e arritur në Ohër dhe ajo e arritur më parë në Bruksel nuk zbatohet. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së Peter Stano, i cili shprehet se dy vendet e kanë për obligim që të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, bashkë me aneksin për të.

Deklaratat Stano i bëri teksa iu përgjigj disa pyetjeve  lidhur me deklaratat e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili është shprehur se do ti zbatojë disa pjesë të marrëveshjes por disa të tjera nuk do ti pranojë. Po ashtu sipas mediave serbe Vuçiç ka thënë se, qëndrimet e tij për moszbatim të disa pikave të Marrëveshjes, ua ka shprehur qartë disa bashkëbiseduesve evropianë.

Peter StanoPërderisa nuk komentojmë deklaratat e mundshme, pa e njohur kontekstin, dhe pa dashur të hymë në komente të secilës deklaratë rreth kësaj Marrëveshjeje, dua të fokusohem në Marrëveshjen si të tillë. Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, u pajtuan në Ohër që të nisin menjëherë zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes, përfshirë edhe aneksin. Kjo është ajo për çfarë jemi pajtuar. Ky është obligimi politik që të dyja palët morën dhe ajo që shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së presin nga ato. Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kornizës negociuese në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka obligim kontraktual që të zbatojë pikat e Marrëveshjes, nëse dëshiron të arrijë progres në procesin e anëtarësimit. Pra, kemi një marrëveshje dhe një obligim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj.

Stano shtoi se zbatimi është kyç për palët që të dëshmojnë se sa janë partnere të besueshme për BE-në dhe vendet anëtare. Sipas tij do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.

Peter StanoMonitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç janë pajtuar për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve më 27 shkurt dhe për planin e zbatimit më 18 mars. Ndonëse ato nuk i kanë nënshkruar dokumentet, BE-ja ka thënë se marrëveshjet janë ligjërisht obliguese. Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje prej fillimit të dialogut, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./Limit.al