Sot, në mbarë botën, një numër gjithnjë e më i madh individësh vuajnë nga sëmundje të shkaktuara nga mbipesha dhe veçanërisht nga obeziteti. Është fjala për ata individë që preferojnë jetën e dembelizmit kundrejt aktivitetit fizik. Një ushqyerje jo e shëndetshme, e shoqëruar me mungesën e vazhdueshme të aktivitetit fizik, çon fillimisht në mbipeshe e më pas në obezitet.

Obeziteti karakterizohet nga një depozitim i shprehur i indit dhjamor brenda organizmit. Ky depozitim shkakton prishje të ekuilibrit midis sasisë së energjisë së përftuar nëpërmjet ushqimit dhe sasisë së harxhuar nëpërmjet aktivitetit ditor. Kjo ndodh në rastet kur konsumohen ushqime të pasura në yndyrna, kaloritë e të cilave i tejkalojnë nevojat energjitike ditore të organizmit. Eshtë mjaft e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet peshës normale, mbipeshës dhe obezitetit.

Si shkaqe madhore të obezitetit konsiderohen:

  • Ushqimet e pasura me yndyrna dhe jeta sedentare.
  • Faktorët mendore vetmia dhe depresioni shpesh shoqërohen me ushqyerje të bazuar në elemente ushqimore të pasura me yndyrna dhe sheqerna.
  • Trashëgimia
  • Faktorë të ndryshëm dhe të panjohur.
  • Shkaqe organike të lidhura me sëmundje të ndryshme si: prodhimi i mangët i hormoneve të gjendrës tiroide, prodhimi i tepërt i kortizolit.

Pasi përjashtojm një sëmundje shkaktare e obezitetit, trajtimi i këtij të fundit bazohet në tre drejtime:

  1. Këshillimi dietetik dhe kufizimi i kalorazhit ditor në ushqimet e konsumuara.
  2. Terapia e sjelljes (ndryshimi i të sjellurit ndaj ushqimeve)
  3. Aktiviteti fizik

Pasi arrihet pesha e synuar, problemi më i vështirë është ruajtja e saj. Në këtë drejtim janë efikase vetëm strategjitë terapeutike të shtrira në periudha të gjata kohore. Shumë shpesh, një rënie shumë e shpejtë në peshë mund të pasohet nga një shtim akoma më i madh në peshë, krahasuar me periudhën përpara përfshirjes në skemën e trajtimit.

Mjaft të suksesshëm në këtë drejtim janë individët që arrijnë të ndryshojnë mënyrën e tyre të yshqyerjes dhe stilin e jetesës. Pas rënies në peshë, parimi i ushqyerjes së ekuilibruar dhe i mënyrës aktive të të jetuarit, duhet zbatuar për një periudhë sa më të gjatë kohore. Rreth një e treta e individëve obezë që paraqiten tek mjeku specialist, arrijnë të bien në peshë në mënyrë të shëndetshme vetëm në sajë të motivimit dhe të ndryshimit të stilit të tyre të jetesës, duke e ruajtur kështu peshën e fituar për një kohë të gjatë.

Rënia në peshë është mjaft e rëndësishme për shëndetin, pasi ndihmon në parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve dytësore, që mund të shkaktonte obeziteti.

Në cilat raste mund të përdoret ndërhyrja kirurgjikale?

  • Në të gjitha rastet kur strategjitë e mësiperme nuk japin rezultat, kur obeziteti i theksuar ka arritur të prishë cilësinë e jetës së individit, kur ka dhënë ndërlikime serioze në organizëm, ose edhe vetëm për arsye estetike.

A duhet ta kryejë një kirurg ndërhyrjen?

Çdo ndërhyrje kirurgjikale duhet të kryhet vetëm nga mjeku specialist, që në këtë rast ?është kirurgu i specializuar për ndërhyrje të kësaj natyre.

/medinfo.al