Në Europë, dimrit i ka ardhur fundi.

Dimri i sapokaluar mbërriti në mes të paralajmërimeve ogurzezë për mungesat e gazit, paralizës industriale, ndërprerjeve të shumta të energjisë elektrike, racionimit të detyrueshëm dhe madje edhe trazirave civile.

Falë një kombinimi të politikëbërjes, dinamikës së tregut, fenomeneve të motit dhe iniciativës personale, Europianët shmangën skenarin më të keq të krizës energjitike, një sukses i jashtëzakonshëm në vetvete, edhe nëse disa nga plagët nga periudha e krijimit ose të prishjes, janë ende duke u shëruar.

Gazi natyror i lëngshëm (liquefied natural gas, LNG), një mall i panjohur për europianët e zakonshëm, befas u bë një emër i njohur dhe një prioritet kryesor politik, ndërsa pika virtuale e tregtimit për gazin natyror në Holandë, Title Transfer Facility (TTF), vazhdoi me luhatje.

Ky vit do të vazhdojë të jetë një sfidë

“Duke hyrë në pranverë sot, tani mund të themi se ia dolëm mirë këtë sezon dimëror. Ndërsa përfunduam me një depo gjysmë plot, beteja e parë e kësaj lufte energjitike me Rusinë, është me sukses prapa nesh,” tha Kadri Simson, Komisioneri Europian për Energjinë.

“Ne nuk duhet të kemi iluzione se gjërat po bëhen të lehta. Ky vit do të jetë ende një sfidë dhe viti i ardhshëm gjithashtu. Ka ende shumë pasiguri. Pavarësisht situatës së përgjithshme të mirë energjitike, ne duhet të qëndrojmë vigjilentë dhe të punojmë shumë për t’u përgatitur për dimrin që vjen”.

Por ky sukses nuk rezultoi i lirë: Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (International Energy Agency, IEA) vlerëson se Bashkimi Europian shpenzoi vitin e kaluar afro 400 miliardë euro për blerje gazi – gati tre herë më shumë se fatura e vitit 2021.

Sipas Bruegel, një institut me bazë në Bruksel, mbështetja fiskale e ofruar nga vendet e BE-së për të mbrojtur qytetarët dhe kompanitë kundër krizës, vlen të paktën 657 miliardë Euro.

Gjermania, një vend shumë i varur nga gazi, caktoi vetëm 265 miliardë Euro.

Megjithëse kriza energjetike shpesh përshkruhet si një nga pasojat më famëkeqe të pushtimit rus të Ukrainës, kriza në fakt i paraprin luftës brutale.

Fenomeni daton që nga fillimi i pandemisë COVID-19, kur vendet në mbarë botën hynë në bllokime të menjëhershme dhe ekonomia globale ngriu. Ndalesa e çoi kërkesën për energji në një spirale në rënie: çmimet e shitjes me shumicë ranë, projektet e investimeve u ndaluan dhe prodhuesit ulën prodhimin e tyre nga frika se do të shihnin, që furnizimet e tyre të shkojnë dëm.

Tregjet u befasuan kur, sapo u hoqën kufizimet e pandemisë, konsumatorët filluan një zbavitje blerjesh dhe mani udhëtimesh për të kompensuar kohën e kaluar në karantinë. Prodhuesit e energjisë nuk ishin në gjendje të kënaqnin këtë rimëkëmbje të papritur, duke provokuar një mospërputhje të thellë midis ofertës dhe kërkesës, gjë që i shtyu çmimet të rriteshin.

Deri në dhjetor 2021, çmimet e gazit ishin pothuajse tre herë më të larta se një vit më parë.

Ruleta e gazit të Rusisë

Paralelisht, Rusia, atëherë furnizuesi kryesor i energjisë i BE-së, kishte filluar të reduktonte flukset e saj të gazit në bllok, duke lënë magazinimin nëntokësor në nivele dramatike të ulëta. Trendi korrespondonte me një vendosje gjithnjë në rritje të trupave përgjatë kufirit ukrainas.

Kushtet e shtrënguara të tregut krijojnë skenën për strategjinë e Vladimir Putin, për të përdorur energjinë si armë, thotë Ben McWilliams, një konsulent për energjinë dhe klimën në institutin e mendimit Bruegel.

“Rusia nuk po e mbushte magazinën dhe kjo shkaktoi disa kambana alarmi nëpër Europë”, tha McWilliams.

“Nëse ky hap ishte gjeopolitik apo i bazuar në treg, është e pamundur të thuhet me siguri. Por mendimi im do të ishte se ishte gjeopolitik dhe se kjo ishte pjesë e një strategjie më të gjerë, për të tharë rezervat Europiane të gazit, përpara pushtimit dhe më pas të luajë në mënyrë progresive me sistemin Europian”.

Pushtimi ndezi kaos në treg, me përmasa të paprecedentë, duke i futur politikëbërësit në panik për të zëvendësuar 140 miliardë metra kub gaz rus – rreth 40% të totalit të importeve.

Në një rastësi shumë fatkeqe, prodhimi i energjisë bërthamore në Francë ra në nivelin më të ulët 30-vjeçar, për shkak të operacioneve të mirëmbajtjes, ndërsa prodhimi hidroelektrik i Europës u godit keq nga një thatësirë e rëndë.

Spektri i racionimit u bë aq i dukshëm, sa Brukseli u detyrua të hartonte një plan për të ulur konsumin e gazit me 15% përpara pranverës, duke shënuar herën e parë që blloku kishte rënë dakord për një strategji të koordinuar për të kufizuar përdorimin e diçkaje të zakonshme si gazi.

Fuqia e kursimeve

Gjendja e çmimeve të gazit arriti kulmin e saj në verë, kur qeveritë Europiane, nga frika e një dimri pakënaqësie, hapën fletoret e tyre të çeqeve për të paguar gjithçka që nevojitetj, për të mbushur depot e nëndheshme.

Më 26 gusht, TTF, vendosi një vlerë maksimale të të gjitha kohërave prej 320 € për megavat-orë, tetë herë më shumë se çmimi i regjistruar një ditë para fillimit të pushtimit.

Metodat tradicionale ishin shteruar dhe nevojiteshin mendime jokonvencionale për të shmangur një katastrofë.

Shtysa politike solli një sërë masash të jashtëzakonshme energjie: kursimet e detyrueshme të energjisë gjatë orëve të pikut, një taksë mbi fitimet e papritura, rregullat e solidaritetit të paracaktuar për të parandaluar mungesat dhe prokurimet e përbashkëta për furnizimet me gaz, u miratuan të gjitha me shpejtësi rekord.

Ironikisht, në kohën kur u vendos një kufi për çmimin prej 180 euro për megavat-orë, çmimet e gazit kishin hyrë në një rënie graduale, duke u rikthyer në nivelet e paraluftës në fillim të janarit, kur moti jashtëzakonisht i butë përfshiu Europën dhe zbuti kërkesën e konsumatorëve.

Ndërsa temperaturat u rritën në mënyrë progresive, çmimet vazhduan të bien. Në ditën e parë të pranverës, çmimet në TTF ishin nën 39 euro për megavat-orë.

Ndërsa ekspertët dhe analistët e energjisë festojnë natyrën novatore të këtyre politikave të BE-së dhe mënyrën, se si ato e mbajtën të paprekur tregun e përbashkët, shumica besojnë se çelësi i menaxhimit efektiv të krizës qëndron te kursimet.

Frika dërrmuese e një fature tepër të shtrenjtë, i shtyu familjet dhe kompanitë të merrnin gjërat në dorë dhe të reduktonin konsumin e tyre, shumë përpara se politikëbërësit t’u thonin që ta bënin këtë.

Kërkesa e BE-së për gaz ra vitin e kaluar me 13%, ekuivalente me 55 bcm, mjaftueshëm për të furnizuar me energji 40 milionë shtëpi, ka thënë IEA, duke e quajtur atë “rënia më e madhe në histori” e bllokut.

Prodhimi i energjisë elektrike ishte i vetmi sektor, që pa një rritje modeste të përdorimit të gazit, për shkak të nevojës për të kompensuar prodhimin më të ulët të energjisë hidrocentrale dhe bërthamore.

Frika nga mungesat dhe ndërprerjet e energjisë elektrike ishte thelbësore, ato nuk ishin thjesht një marifet mediatik. Në momentin, që kuptuam se energjia bërthamore dhe e hidrocentraleve franceze ishin të dobëta, rreziku në frontin e energjisë elektrike dhe atë të gazit u bë real.

“Jemi ende në krizë”

Me fatkeqësinë kryesisht të shmangur, shumë në Europë tani janë të etur për ta kthyer faqen e krizës energjitike.

Tema ka humbur rëndësinë e saj në qarqet e Brukselit, ndërkohë që çështjet si migrimi dhe transporti i qëndrueshëm, të kthehen në krye të axhendës.

Kursimet e gazit dhe importet e LNG-së duhet të punojnë së bashku, për të shmangur një përsëritje të dramës së vitit 2022, thotë Nikoline Bromander, një analist i lartë në Rystad Energy, një firmë e pavarur kërkimore.

“Europa hyn në vitin 2023 me një treg të balancuar më mirë”, tha Bromander. “Për momentin, duket se bazat e forta të furnizimit dhe ruajtjes, po kundërshtojnë parashikimet e motit të ftohtë.”

Deri në fund të këtij viti, Europa do të jetë në gjendje të importojë 78 bcm shtesë LNG, duke i hapur rrugën flukseve të qëndrueshme nga Shtetet e Bashkuara, Katari, Nigeria dhe prodhues të tjerë.

Por, Europa nuk do të jetë klienti i vetëm.

“Ne po hyjmë tani në një fazë të re ku çmimet e gazit janë ende më të larta se sa ishin dy vjet më parë. Dhe unë do të thosha se ka shumë pak gjasa, që ata të kthehen atje ku ishin dy vjet më parë, të paktën për dy vitet e ardhshme. ” tha McWilliams.

“Sistemi do të mbetet ende i stresuar. Kështu që ne jemi ende në një krizë.”

Komisioni Europian tashmë ka propozuar zgjatjen e planit të reduktimit të gazit prej 15% deri në mars 2024, duke reflektuar se si janë bërë kursimet themelore. Blerjet e para të përbashkëta të gazit janë planifikuar të bëhen në verë, me synimin për të siguruar çmime më të ulëta për rimbushjen e depozitave nëntokësore.

“Tani është e rëndësishme, që vendet anëtare të mbajnë kursin dhe të vazhdojnë me veprimet, që do të arrijnë qëllimet tona të dyfishta: sigurinë e energjisë dhe çmimet e përballueshme,” tha komisioneri Simson.

Por çështja se çfarë nënkuptphet me termin “çmime të përballueshme” në kohë lufte, është ende për debat.

Familjet po mendojnë se si të përballojnë fatura më të larta në shpenzimet e tyre mujore, pa bërë sakrifica të pakëndshme.

Pra, sa do të zgjasë kriza energjetike e Europës?

“Për sa kohë që ne jemi të varur nga furnizimet me gaz për ekonominë dhe derisa të përfundojë tranzicioni i energjisë, kjo cenueshmëri ndaj çmimit të gazit do të mbetet.” tha Elisabetta Cornago. / Euronews