Premton bashkëpunim më të madh me komunitetin shqiptar në New York, SHBA

Nga Ruben Avxhiu

Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, u takua këto ditë, në
Manhattan, me kongresisten e njohur Grace Meng, me kërkesën e kësaj të
fundit. Gjatë takimit u diskutua për komunitetin shqiptaro-amerikan,
rëndësinë dhe shqetësimet e tij, për Kosovën dhe çështje të tjera.
Grace Meng është kongresiste amerikane që përfaqëson Distriktin e 6 të
New York-ut, në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan.
Ajo është, veç të tjerash, anëtare e Komitetit të fuqishëm të
Përcaktimeve si dhe anëtare e NënKomitetit të Shtetit, të Operacioneve
të Jashtme dhe Programeve të Lidhura me to.
“Patëm një dialog të frytshëm për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë,
si dhe lidhjet dhe aktivitetin e fuqishëm të komunitetit shqiptar në
mbështetje të Kosovës, gjatë gjithë historisë”, u shpreh botuesi
Bajrami pas takimit.
Me këtë rast, ai i kërkoi kongresistes Meng që të bëhej anëtare e
Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, një kërkesë të
cilën kongresistja e njohur e pranoi me kënaqësi.
“Ishte një kënaqësi që u takova me Vehbi Bajramin, botues i gazetës
Illyria, një udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan, dhe veprimtar
e avokat i hershëm i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha ajo në një
deklaratë për median pas përfundimit të takimit. “Për të vijuar
diskutimin tonë të frytshëm, jam krenare të njoftoj se do të bashkohem
me Kaukusin dypartiak të Çështjeve Shqiptare në Dhomën e
Përfaqësuesve”.
Meng është një demokrate që përfaqëson pjesë të lagjes Queens, duke
përfshirë Bayside, Flushing, Forest Hills, Fresh Meadows, Glendale,
Kew Gardens, Maspeth, Middle Village dhe Rego Park, ku jetojnë shumë
shqiptarë. Ajo ka dëshirë që të bëhet edhe zëri i tyre në Kongres.
E zgjedhur fillimisht në vitin 2009, ajo është kongresistja e parë
aziatiko-amerikane në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Vehbi Bajrami tha se dialogu mund të funksionojë vetëm nëse Kosova dhe
Serbia ulen përballë si dy shtete të barabarta.
Ai u shpreh se vetëm presioni mund ta detyrojë Serbinë që ta marrë
procesin seriozisht. “Është e papranueshme”, tha ai, “që më shumë
presion publik i është bërë Kosovës sesa Serbisë, që provokon trazira
në shtetet fqinje e refuzon të vendosë sanksione kundër Rusisë”.
“Asosiacioni i Komunave Serbe në Kosovë, me të drejta ekzekutive do të
ishte një Republikë e re Srpska në Ballkan, një sabotim i shtetit të
Kosovës. Në vend të kësaj duhet që të drejtat e shqiptarëve në Serbi
të jenë njëjta me ato të serbëve në Kosovë”, tha botuesi Bajrami.
Ai vuri në dukje se Kongresi ka votuar unanimisht për çështjen e
Vëllezërve Bytyqi si kusht për marrëdhëniet me Serbinë, por kjo po
injorohet nga diplomatët amerikanë. “Në vend që ta ngrenë këtë çështje
sa herë që takohen me Presidentin Vuçiq, ata e kanë lënë në harresë”.
Me këtë rast, ai i paraqiti kongresistes dhe stafit të saj një
dokument të posaçëm që informon për problemet kryesore me të cilat
përballet Kosova dhe shqiptarët në rajon.
Duke vënë në dukje anëtarësinë e saj në Nënkomitetin e Shtetit dhe të
Operacioneve të Jashtme si dhe influencën e saj në Kongres, botuesi
Bajrami loboi pranë kongresistes Meng që të ndihmojë në fuqizimin e
Ushtrisë së Kosovës, me fonde, pajisje, dhe ekspertizë. Ai i nënvizoi
ligjëvënëses amerikane se Kosova është vendi më proamerikan në botë
dhe një forcim i Kosovës si shtet dhe si ushtri do të ishte një forcim
i interesave amerikane në botë.
“Do të vijoj të ndjek zhvillimet në Ballkan dhe dëshiroj të ndërtoj
marrëdhënie më të forta me komunitetin shqiptar në distriktin tim dhe
më gjerë në mbarë New York-un,” thuhet veç të tjerash në deklaratën e
saj pas takimit me botuesin Bajrami.
Ky është takimi i radhës që botuesi i gazetës “Illyria” ka bërë me
anëtarë të Kongresit Amerikan për të lobuar për Kosovën dhe kauzën
shqiptare. Ai është angazhuar për më shumë se 30 vjet në lobimin
shqiptar në SHBA.
Për punën e tij të palodhur në shërbim të kombit, Vehbi Bajrami është
nderuar me Urdhërin Kalorës i Skënderbeut nga Presidenti i Shqipërisë.
Ruben Avxhiu
Editor-in-chief
Illyria Newspaper
481 8th Avenue, Suite 1023
New York, NY 10001
Cell: 646-637-8241