Shorti për çerekfinalet e UCL, bavarezët të pafat, madrilenët “peshkojnë” sërish në Angli
U hodh sot shorti për të përcaktuar 4 çiftet çerekfinaliste të Uefa Champions League ku goglat rezervuan përballje mjaft interesante.
Sfida që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte ajo mes Manchester City dhe Bayern Munchen. Teknikët e të dyja skuadrave, si Guardiola ashtu edhe Nagelsmann duhet të bëjnë mirë llogaritjet për këtë përballje, pasi çdo gabim në ndeshje të tilla kostojnë shumë.
Ndërkaq, kampionët në fuqi të Evropës, Real Madrid do të ndeshet njësoj si në fazën e 1/8-ave me një skuadër angleze. Pasi eleminoi Liverpoolin e Jurgen Klopp, madrilenët e trajnerit italian Ançelotti do të ndeshen në këtë fazë me blutë e Chelsea-t.
Skuadra më fatlume në letër është ajo e Interit, që fati i rezervoi si kundërshtar portugezët e Benfikës. Ndërsa sfida e fundit është derbi italian mes Milanit dhe Napolit. Vlen të theksohet se u deshën 17 vjet që në fazën çerekfinale të kualifikohen sërish 3 skuadra italiane dhe kjo e bën interesante. Milan, Inter, Napoli kanë mbajtur lart flamurin axurr për këtë sezon.
Takimet e para çerekfinale do të luhen më 11 dhe 12 prill, ndërsa të kthimit një javë më pas. Ndërsa ato gjysmëfinale më 9 dhe 10 maj, kurse të kthimit më 16 dhe 17 maj.
Finalja e madhe do të mbahet më 10 qershor në stadiumin “Ataturk” të Stambollit.