Në plejadën e intelektualëve shqiptarë, me një jetë e veprimtari të bujshme arsimore-pedagogjike, politike e patriotike në plane e hapësira të gjëra, por gjithnjë në platformën e Rilindjes sonë kombëtare, shquhet emri i QamilBalës, këtij eruditi të spikatur, por pak të njohur në Kosovë.

Qamili u lind në Gjilan, në  vitin e Lidhjes së Prizrenit e të Kongresit të Berlinit (1878), vit ky sa i lavdishëm për historinë kombëtare shqiptare, poaq tragjik për copëtimin dhe grabitjen e trojeve tona nga fqinjët gllabërues: Serbia, Mali Zi e Greqia.

Shkollën fillore qytetëse (gjashtë klasësh) e kreu në Prishtinë. Pastaj kreu gjimnazin në Manastir. Përfundimi me sukses të lartë në gjimnaz, i hapi rrugën për studime në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Stamboll. Gjatë studimeve në Stamboll u njoh me inelektualëshquarë shqiptarë të cilët jetonin e vepronin atje. Nga njohja dhe veprimi me ta, Qamili u brumos me ide patriotike e përparimtare, të cilat i zbatoi dhe përhapi me shumë sukses gjatë gjithë jetës së tij.

Pas përfundimit të studimeve në Stamboll, emërohet mësues në Gjimnazin e njohur “Zosimea Janinës. Me aftësitë profesionale, intelektuale, zellin, disiplinën, drejtësinë, fitoi e gëzoi respekt  dhe  autoritet në mesine nxënësve e të kolegëve. Mbante lidhje me Frashëllinjët e me Ismail Qemalin. Nxënës të Qamilitnë Gjimnazin “Zosimea” kanë qenë shumë shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe emra të njohur, si: XhaferYpi, Xhafer Vila, Demir Vila, Mustafa Kruja, Dinollarët e Çamërisë, Pertef Pogni, Remzi Baçe, e shumë të tjerë.

Duke vlerësuar lart punën e Qamil Balës, shumë vjet më vonë gazeta “Minerva” shkruante: Ç’ka qenë BajoTopulli për Shqipërinë e asaj kohe në Selanik, ka qenë edhe Qamil Bala në Janinë dhe gjetkë”.

Por autoriteteve otomane iu pengonte reputacioni dhe aktiviteti patriotik i Qamil Balës në Janinë, prandaj e transferuan në gjimnazin e Manastirit një kohë, e pastaj në gjimnazin e Selanikut. Kudo që punoi, mbolli farën e dashurisë për atdheun dhe aktiviteti i tij patriotik shqiptar nuk iu pëlqente autoriteteve turke. E transferuan në Palestinë, ku u emërua drejtor i gjimnazit turk në Jerusalem.

Kur Kongresi i Elbasanit (1909) vendosi për të hapur Shkollën Normale në Elbasan, për të përgatitur mësues për shkollat shqipe, Komisioni e emëroi Qamil Balendrejtor të asaj Shkolle. Duke i çmuar meritat e tij profesionale dhe organizative, autoritetet palestineze hezituan ta lejonin Qamilin të largohej nga Jerusalemi.Vetëm në saje të këmbënguljes së Komisionit të Normales, ato e lejuan Qamilin të kthehej që ta merrte detyrën e re në atdheun e tij. Por, xhonturqit e penguan dhe nuk e lejuan të shkonte në Elbasan. Në ndërkohë drejtor i Normales u emërua Luigj Gurakuqi, ndërsa Qamil Bala u kthye në Stamboll. Autoritetet turke e emëruan drejtor të përgjithshëm të arsimit në Irak, me seli në Bagdad. Pastaj, prej vitit 1915 deri në fund të Luftës së Parë Botërore, kreu detyrën e inspektorit të përgjithshëm të arsimit në Siri.

Në vitin 1920, si shumë atdhetarë tjerë edhe QamilBala u kthye në Shqipëri, me dëshirë që të punonte mësues. Por, duke ia ditur aftësitë dhe përvojën arsimore që kishte arritur, ministri arsimit – Rexhep Mitrovica, e emëroi Qamilin inspektor të arsimit në Qarkun e Elbasanit. Në atë detyrë që mori, Qamil i kushtoi një vëmendje të veçantë mbarëvajtjes së punës së Normale së Elbasanit, e cila duhej të nxirrte nxënës me formim atdhetar. Bashkë me Jani Mingon e SaliÇeken, ishte anëtar i jurisë (komisionit) për tekstet shkollore për shkolla të mesme. Në Ministrinë e arsimit kishte krijuar një bibliotekë të pasur me literaturëpedagogjike. Ai vet ishte një poliglot, përveç gjuhës amtare, shqipe, njihte shumë mirë gjuhët e huaja: turqishten, arabishten, persishten, frëngjishten, gjermanishten dhe serbishten.

Nga dhjetori 1922 – 1924 Qamil Bala ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë, që përfaqësonte prefekturën e Kosovës, me qendër në Kukës, në vend të MustafaKrujës. Kishte fituar autoritet e simpati sa që rrugëve tëTiranës e përcillte turma erinjëve, të cilëve Qamili ufliste, jepte udhëzime e kurajonte.  Bashkë me AhmetGashin e Niman Ferizin, si përfaqësues të Kosovës, ishin pjesëmarrës aktivë në Kongresin Arsimor të Tiranës (1922), ku u shqua me idetë për avancimin e sistemit arsimor, reformat dhe programet shkollore.

Edhe si fetar i devotshëm, me arsimim fetar për hoxhë, Qamil Bala, ishte i interesuar që të përgatiteshin klerikë(hoxhallarë) të ditur, të pajisur me njohuri të larta fetare, filozofike e shkencore në predikimet e tyre. Prandaj u formua një grup nismëtar për hapjen e një medreseje në Tiranë. Në grupin nismëtar ishin: Vehbi Dibra, Sali Vuçitërna, Qamil Bala, Mehdi Frashëri, Ferit Voskopoja, etj. Medreseja u hap më 1 mars 1924, ku Qamilit iu besua drejtimi i saj dhe njëkohësisht jepte mësimin nga matematika dhe shkencat natyrore. Në planin mësimor të Medresës, të cilën e kishte përgatitur Qamili, ishin lëndët: Kur’an; Fikth; Gjuhë arabe; Gjuhë shqipe; Gjuhë frënge; Histori e Shqipërisë; Gjeografi; Aritmetikë e gjeometri; Higjienë; Vizatim, Gjimnastikë, Muzikë. Për nga programi mësimor, Medreseja ishte e barasvlefshmeme gjimnazet klasike të kohës.

Sipas kërkesës së një grupi të rinjve nga Tirana e Durrësi, Qamil Bala, bashkë me Sali Çeken dhe PertelPogonin, inicuan hapjen e një gjimnazi në Tiranë. Ajo shkollë u hap në Tiranë më 23 nëntor 1925, e njohur si “Liceu Tirana”, por Qamili nuk e priti hapjen e saj, sepse në dhjetor të vitit 1924, bashkë me shumë patriotë tjerë, kundërshtarë politik të Zogut, u arratisën jashtë vendit. Pas një kohe qëndrimi në Vjenë, Qamiliu vendos në Berlin. Gjatë qëndrimit në mërgim (1925-1930), nuk pushoi së vepruari politikisht, që në fokus e kishte çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb. Ai damkoste fuqitë e mëdha, të cilat në Kongresin e Berlinit e copëtuan Shqipërinë dhe i sollën mjerimin popullit shqiptar. Është i njohur një manifest i tij politik prej katër paragrafësh, dërguar sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në vitin 1929. Bashkë me Bedri Pejanin dhe Ibrahim Gjakovën ishin në udhëheqësinë e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës.

Pas amnestisë që u dha Zogu kundërshtarëve të tij politik, Qamil Bala u kthye në Tiranë. U emërua drejtor i Konviktit privat “Naim Frashëri”, pranë të cilit arriti të çeli Shkollën Normale për Vajza, në të cilën dominonte fryma e pedagogjisë gjermane. Kishte aktivizuar edhe orkestrinën, nën drejtimin e profesorit Luigj Filaj, e që u bë orkestrina më e njohur në Tiranë. Oborri i shkollës dallohej për rend, rrgull e pastërti, me plot lodra. Me angazhimin e tij, arriti që nga një numër i madh i vajzave, të përzgjedhë 100 më të zgjuarat,shumica nga familje të varfëra, dhe me bursa të shtetit i vendosi në konvikt. “Unë do t’i jap vendit 100 vajza përparimtare,  100 mësuese e nëna me kulturë e me koncepte moderne. Kështu do ta ndihmoj revolucionin shoqëror të vendit mbi rolin e gruas në shoqëri, dhe ato do të bëhen 100 flamurtare për lirinë e shumë të tjerave”, thoshte Qamil Bala. Ai i kishte angazhuar ato vajza që t’ua mësuar shkrim-leximin shqip edhe punëtorëve e qytetarëve tjerë të Tiranës.

Qamil Bala ndërroi jetë më 28 gusht 1933, ende pa i mbushur 55 vjet moshe, kur prej tij mund të priteshin vepra tjera të mëdha. Ai la pas vete bashkëshorten dhe një vajzë e një djalë.

Kuvendi Popullor i Shqipërisë më 2 mars 1987, QamilBalës i dha titullin “Mësuesi i Popullit”.

Qaml Bala ishte hoxhë me arsimim profesional, po punoi e veproi si mësues, drejtues, organizator, ideator e reformator i institucioneve dhe sistemit të arsimit në një hapësirë të gjërë gjeografike, gjithmonë i lidhur me atdheun dhe me platformën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Personalitetet e tilla, si Qamil Bala e shumë të tjerë, duhet të kujtohen e nderohen për sa të jetë jeta.Unë këtë paraqitje të portretit të Qamil Balës e bëra, me respektin më të madh për kujtim e nderim të Tij.

​​​​​​​​​​Adil FETAHU

(Të dhënat për Qamil Balen i zgjodha e mora nga librat: Dr Abdullah Vokrri: “Mësues në Kosovë e në Shqipëri – personalitete të shquara të arsimit tonë kombëtar”, Libri shkollor, Prishtinë, 2008; dhe Grup autorësh: “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”, botimi i tretë, Tiranë,2015).