Analizë libri/ APOLOGJIA E DHEMBJES DHE E DASHURISË SI TRAJTESË SHPIRTËRORE NË RRUGËTIMIN E GJATË TË KRIJUESIT SEJDI BERISHA

Tahir BEZHANI:

APOLOGJIA E DHEMBJES DHE E DASHURISË SI TRAJTESË SHPIRTËRORE NË RRUGËTIMIN E GJATË TË KRIJUESIT SEJDI BERISHA

(Sejdi Berisha: “Peja dhembja dhe krenaria ime”- poemë të cilën kurrë nuk e përfundova), poezi botoi” Club Kultura – Pejë, 2023)

 Peja frymëzim i përhershëm në krijimtarinë poetike të Sejdi BERISHËS, ose gjurmët e hershme të plugimit artistik të krijimtarisë së tij letrare!

*    *    *

Këmbëngulësia dhe qëndrueshmëria e refleksionit shpirtëror i poetit, i cili me vargun  poetik e ndërton fortë mesazhin, i lëron, i studion dhe i përjeton deri në thellësi vlerat e jetës dhe të artit krijues

Poeti i mirënjohur kosovarë, z. Sejdi BERISHA, i cili jeton e vepron në qytetin e bukur të Pejës që nga mosha e re, tanimë është personalitet i njohur anekënd trojeve shqiptare me krijimtarinë e tij brilante në të gjitha zhanret letrare, që gjithmonë me dashuri e respekt lexohen  veprat e tij të shumta. Si autor i dyzetë e tre veprave letrare, redaktor e recensent i një mori veprash të krijuesve të rij por edhe të atyre tanimë të dëshmuar, ai sot gëzon një respekt të veçantë kudo në trojet shqiptare nga lexues të pasionuar të artit letrar. Njëherësh,  krijimtarinë e tij letrare, e ka vlerësuar edhe kritika mbarëshqiptare, duke dhënë mendime të thukëta e meritore për gjithë opusin e tij krijues.

Rrugëtimi i tij krijues, S. Berishën, vetëm sa e bënë edhe më këmbëngulës e gjithnjë e më të qëndrueshëm, e çelikos me vargun  poetik, i cili lëron dhe i studion e përjeton deri në thellësi vlerat e artit krijues, duke nxjerrë gjithmonë në pah bukurinë mbase edhe madhështinë tërheqëse të dhembjes dhe të dashurisë që i dhuron jeta…!

Ky krijues i devotshëm, këto ditë botoi veprën e 43-të titulluar “Peja dhembja dhe krenaria ime” -një poemë të cilën kurrë nuk e përfundova, thotë poeti Berisha.

Ndërsa unë, si lexues i veprave të tij, do e pyesja se kurë do mbarojë dhembja e dashuria në embrionin e shpirtit  të tij poetik, kur dihet se atyre nuk u shihet fundi…?!  Mburrje!…

Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA 

Edhe kështu, fuqishëm dëshmohet pesha e vargut i shoqëruar me mesazhin e ndërgjegjes:…“Kudo të kërkova e nuk të gjeta, e gjurmët digjnin shpirtin se ishe shndërruar në rrëfim dhembjesh edhe në ëndrra të heshtura”…!

Që në faqen e parë, (pas parathënies nga autori), lexojmë poemën: “Kudo të gjeta, ty toka ime që nëpër shekuj tentuan ta shëmtojnë madhështinë”, e cila kryekëput i kushtohet Tokës Arbërore dhe plagëve të saj  nëpër shekuj. Muza e poetit Berisha shndërrohet në pelegrin i të gjitha kohërave, duke derdhur gjithë dhimbjen shpirtërore ndaj atdheut si tërësi gjeografike, duke ndier thellë atë peshë të kohërave të cilat grisen dhe copëtuan hartën gjeografike të Tokës Arbërore. Poema në fjalë, e tëra është një sagë në vete e të gjitha vuajtjeve dhe përjetimeve nëpër shekuj, por gjithmonë stoike, e paepur kurrë,  ballëlartë e krenare në të gjitha betejat  për ekzistencë. Me flaken e shpirtit, plot dhembje e krenari, poeti thurë këto vargje antologjike, te cilat përgjithmonë mbesin në kujtesë si refren i dhimbjes krenare: “Kudo të kërkova e nuk të gjeta,/ E gjurmët digjnin shpirtin/Se ishe shndërrua në rrëfim dhembjesh/Edhe në ëndrra të heshtura” ,ose “Kudo të kërkova e asnjëherë nuk të gjeta/Kudo të kërkova e kudo të takova/ Toka ime sa e madhe je…”

Mes këtyre vargjeve të bukura vërehet pezmi i brendshëm poetik dalë si zjarr mali dhe nostalgjia me peshën e vuajtjeve nëpër kohë, ku autori kurrë nuk e heq nga zemra e shpirti mendjen nga trojet e etnike. Pra, këto vargje lexohen me kuptim kontrasti, apo dysinë deduksionesh, duke marrë parasysh edhe shkapërderdhjen e mendimeve në kohështrirje historike të fateve tona, me ç’rast autori përmend shumë emra të jetës publike letrare, emra vendesh e me rëndësi historike në vendosjen e fateve tona, si frymëzime që kurrë nuk të lë të qetë. Pikërisht, nga kjo prizëm poeti shkruan: ”Sa herë vdes brenda vetës/ E askush nuk e vëren dhimbjen time/Askush nuk e peshon mllefin tim”.

Pothuaj se i tërë libri, “Peja dhimbja dhe krenaria ime” e S. Berishës shtrihet nga poezi të gjata, poema, si rrjedhojë e burimeve të pashtershme poetike. Dhe jo vetëm kaq, sepse, poezia lind nga vuajtjet dhe skalitet në art, siç është rasti te autori i kësaj vepre. 

Fuqia krijuese dhe kur jeta me të gjitha nuancat e kohës mbetet kujtim i përjetshëm i një poeti të madh, i cili më mirë e më këndshëm se kushdo tjetër i këndoi dhe i këndon me përkushtim jetës

Peja, sikur është thembra e Akilit për poetin. Aty  bashkëdyzohet jeta me të gjitha nuancat kuptimore, aty gërshetohet jeta fëmijërore, ajo rinore dhe djaloshare, ku mbeten kujtimet e përjetshme të një poeti të madh, i cili më mirë e më këndshëm se kushdo tjetër i këndoi me përkushtim tërë jetës. Vetë autori thotë: …”Poemë të cilën kurrë nuk e  përfundova,”, me çfarë bukur qartësohet ajo lidhja emocionale me këtë qytet në të cilin u rritë e u plak, por që nuk u lind aty! I gjendur në rrethana të ekzaltimit psikologjik, brenda një jete me rrethana të veçanta, autori sikur kërkon ilaçin e dhembjes për shërimin e shpirtit, ku pikërisht, nisur nga ky kënd, përcëllues janë vargjet si këto: “Pejë/Me ty rashë dhe u zgjova/Me ëndrra të ndrydhura/Me ty kudo shkova/Ne zemër të mora”. Nga ky perceptim madhor poetik, S. Berisha, i thurë Pejës fjalët më të bukura, meritat historike, “ku bari ndryshe rritët nga eshtrat e djemve tu,” duke cekur edhe emërtime vendesh brenda këtij qyteti historik, por edhe për njerëzit e të gjitha kategorive, edhe të atyre që e “hijeshojnë” qytetin si kategori njerëzore…

Pa pushim, pa mbarim zjarrmishëm i këndon Pejës, Sejdi Berisha. Andaj, në Pejë dikush duhet të ketë vëmendjen për këtë zë madhor të këtij krijuesi…!  

Librin më të ri poetik, “Peja dhembja dhe krenaria ime”, padyshim e ngritë lartë tharmi poetik shprehur nga pellgu i shpirtit, ku si përformancë ka dhimbjen dhe dashurinë njerëzore, si dy shtylla komplekse jetësore, aty ku ndërtohet i fortë bazamenti i filozofisë njerëzore…

Përkushtimet poetike si një rezervat shpirtëror, janë piedestali i artistikes brenda këndimit dhe një arritje prestigjioze poetike, ku çdo gjë zbërthehet në edukatë njerëzore, si materie psikologjike, filozofike e shpirtërore

Përkushtimet poetike prindërore si një rezervat shpirtëror, janë piedestali i artistikes në vargjet e këtij libri, një arritje prestigjioze poetike, ku bërthama përkushtuese zbërthehet në edukatë njerëzore, si materie psikologjike e shpirtërore. Këto fakte i gjejmë padyshim të skalitura mirë e mirë në “Elegji apo poemë kujtimi” për babin e ikur moti në amshim, të cilit i drejtohet me vargje sikur të ishte  drejtpërdrejtë me te duke vepruar në jetë: “A të kujtohen o plaku im/Ato kullosat ku i ruanim delet? Dhe do gurë varresh nëpër to/A të kujtohen edhe do varreza/Para e pas shekujve të shkuar”. Një imagjinatë e fortë poetike ku aludohet, pos kujtimeve me babin, preken edhe shekujt e shkuar  si banorë denbabaden në këto troje. Dhe: ”A të kujtohet o kostari im/Kur livadhet nën thepat e larta/Kositnim me kosa të mprehta/Këngën e Oso Kukës duke kënduar”. Ku ka vargje më madhështore ku përmes tyre shkrihen do kohë të zorshme, shumë të vështira, duke kujtuar gjithnjë “plisin e mbushur djersë”

Poeti, gjatë vargëzimit, me një elokuencë të fortë e plot dhimbje përkujton, parafytyron babin para vdekjes, i cili, nga lodhja dhe pleqëria shtrihet në shtratin nga i cili nuk zgjohet më, ndërsa poeti shkruan: ”A të kujtohet Babëloku im/Kur u shtrive në krevat/Më the; kurrë më nuk do ngritëm/Se toka më kërkon”.

Mendoj se çfarëdo komenti për këto vargje brilante e me peshë të  jashtëzakonshme, do e dobësonte edhe qëllimin e këtij shkrimi… Por, i pakalueshëm vërehet edhe një segment poetik, ku autori, sikur i betohet prindërit, për çfarë ligjëron: ”Por të gjitha këto/Edhe jetën tënde/Në defter i kam futur”…!

Në krijimtarinë e përgjithshme të poetit Sejdi Berisha, lexuesi i mirëfilltë e me zell leximi, sikur se vëren një kaos shpirtëror nga ku del një zharavë vullkanike në poezi dhe prozën e tij. Ky zjarr, këtë zharavë të dëlirë poetike e vërejmë më së shumti te romani autobiografik, “Njeriu ‘pa’ vendlindje”, ”Treni”, dhe tani se fundmi në poemën “Letra e nënës” (Letër apo këngë përjetësie).

Në romanin “Njeriu ‘pa’ vendlindje”, me dhembje e prekje deri në thellësi mësojmë se si iu grabit pasuria dhe shtëpia nga armiqtë (kolonialistët serbo-malazez) fill pas Luftës së Dytë Botërore, derisa familja i mbeti rrugëve të fatit, pa mëshirën e askujt. Fati i tillë i mjerueshëm e përcolli deri vonë, kur poeti u rritë dhe kuptoi gjithë sagën familjare, e cila u reflektua në artin e të shkruarit si një madhështi jete me triumf…!

 

Korrelacioni i vargut dhe i forcës së jashtëzakonshme që del nga himni i qëndresës së një nëne, përmes së cilës bëhet lapidar pavdekësia dhe figura e nënës nëpër kohë e shekuj.

Ndërsa, te poema “Letra e nënës”, derdhet e gjithë pesha e dhembjes, dashurisë, e vuajtjes e shumë sakrifica të tjera jetësore. Figura e nënës është Alfa dhe Omega e jetës së përjetshme e poetit Berisha, i cili me zjarrin dhe dufin e pa përshkruar, i këndon himnin e qëndresës një nëne, përmes së cilës na del figura e të gjitha nënave tona nëpër kohë e shekuj. Ndoshta, (dhe me siguri), vetëm kjo poemë do merrte disa faqe shkrimi analitik për të mundur sadopak të hidhen në dritë meritat dhe qëndresa e një nëne për rritjen e djalit të saj, por edhe pesha poetike e një krijuesi i përmasave kombëtare, siç është, Sejdi BERISHA.

Monologu që përshkruhet në poemën e lartcekur me nënën e vdekur, lexuesit i krijon rrëqethje, e besa nxjerr edhe lot, me fuqinë imagjinare të poetizimit.  Në strofën e dytë, autori e fillon monologun trishtues, të cilin e fillon e ëma e vdekur: “Po e nis prej aty  ku ty të linda/Aty ku nuk ishim në shtëpinë tonë/Andaj sa shkrumb kisha/Që kur dole në dritë/Nuk mund e shijove? Aromën e shtëpisë sonë/, për të kaluar në strofën e katërt:” Se tek daja yt nuk ishte çerdhja jote/Sepse shtëpinë na kishin grabitur hienat/Edhe tokën tonë stërgjyshërore/ Për atë edhe stinët e verës ishin të ftohta”!

Pena e mprehtë e autorit të këtij libri, e ka shkathtësinë asociative të krijimit të figurës së qëndrueshme në artin poetik. Si element figurativ në brenditë kësaj poeme vërehet si subjekt i Doruntinës, ku shfryrja e mallit përmes monologut me të vdekurin është një element me rezonancë të thellë filozofike në poezinë berishiane.

Me peshë të veçantë na del tablo e jetës së nënës, e cila gjatë rritës së saj, kishte pasur fatin si i biri, (autori), kur vargjet argumentojnë thyerjet e jetës: “Biri im/Fytyra e nënës sime/Ka qenë ajo e sime motër/Asaj madhështores që ma zëvendësoi nënën…”!

Në strofën e dhjetë të poemës, gjatë monologut imagjinarë, prapë Doruntinas, sikurse nëna ndahet e kënaqur me të tërën; për rritën, edukatën, dashurinë e shkathtësinë, zgjuarsinë e shumë të mira të tjera, të cilat në vargje lexojmë: “Shumë gjëra kurrë nuk t’i kam treguar/Vetëm që ty të ta ruaja atë freskinë rinore/Edhe ashtu të lënduar dhe të përvëluar/Por të gjitha këto të kalitën/Të bënë njeri të madh/Njeri që do tokën dhe qiellin”…!

Për librin më të ri të publicistit dhe krijuesit, Sejdi Berisha, ”Peja dhembja dhe krenaria ime”, mund të shkruhen disa dhjetëra faqe, nga se përfshirja e botës së brendshme në vargje e këtij poeti, ka dimensione shumëdimensionale, universale të jetës personale, por edhe të jetës gjithëpërfshirëse njerëzore.

Shkrimtari, me universin e tij krijues, ka përfshirë në vargje edhe të gjithë heronjtë e kohës, sakrificat për lirinë e sotme dhe synimet e rrugëtimit gjithëpërfshirës kombëtar nëpër histori.

Libri në fjalë i poetit dhe i krijuesit universal, z. Sejdi Berisha, është edhe një prurje si thesar i rrallë i artit letrar, pasuri për bibliotekat shkollore e universitare, por gjithsesi edhe ato personale.

(Gjakovë, 16 mars 2023)