SHBA, Britania dhe Australia, marrëveshje historike për nëndetëse me energji bërthamore

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Australia nënshkruan një marrëveshje historike si pjesë e së cilës Australia do të blejë tre nëndetëse sulmuese me energji bërthamore nga Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell nga Uashingtoni, marrëveshja synon të forcojë praninë e aleatëve në rajonin e Azi-Paqësorit, ndërsa Kina intensifikon angazhimin ushtarak.

Presidenti Joe Biden thotë se vendimi për të ndarë teknologjinë e ndjeshme bërthamore amerikane me Australinë është diçka e rëndësishme dhe e domosdoshme. Ai foli të hënën në San Diego.

“Jemi në një pikë kthese në histori, ku puna e pandalshme për parandalimin dhe nxitjen e stabilitetit do të ndikojë në perspektivën e paqes për dekadat e ardhshme. Shtetet e Bashkuara nuk mund të gjejnë partnerë më të mirë në Indo-Paqësor, ku do t’i ketë themelet një pjesë e mirë e së ardhmes sonë të përbashkët. Me këtë partneritet të ri, ne po tregojmë sërish se demokracitë mund të ofrojnë siguri dhe mirëqenie jo vetëm për ne, por për të gjithë botën.”

Sipas marrëveshjes, nëndetëset amerikane dhe britanike me energji bërthamore do të lundrojnë me radhë në ujërat australiane duke filluar nga viti 2027. Në fillim të viteve 2030, Australia do të blejë të paktën tre dhe deri në pesë nëndetëse amerikane me energji bërthamore, të armatosura në mënyrë konvencionale që mund të godasin nëndetëse të tjera. Dhe të treja vendet do të punojnë së bashku për të zhvilluar një nëndetëse të re sulmuese bërthamore – një projekt që mund të zgjasë dy dekada.

Presidenti Biden theksoi se marrëveshja ka të bëjë me funksionimin me energji bërthamore, jo me armatim dhe udhëheqësit u zotuan t’u përmbahen marrëveshjeve të tyre për mospërhapjen bërthamore.

Kryeministri australian Anthony Albanese tha se marrëveshja, e cila mund të kushtojë gati 150 miliardë dollarë do të krijojë vende pune dhe do të nxisë inovacionin dhe kërkimin.

“Marrëveshja që konfirmojmë këtu në San Diego përfaqëson investimin më të madh në aftësitë mbrojtëse të Australisë në të gjithë historinë tonë, duke forcuar sigurinë dhe stabilitetin kombëtar të Australisë në rajonin tonë.”

Ndërsa kryeministri britanik Rishi Sunak njoftoi gjithashtu se vendi i tij do të rrisë shpenzimet ushtarake në 2.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për të përballuar kërcënimet në rritje në mbarë botën.

“Në 18 muajt e fundit, sfidat me të cilat përballemi janë rritur: sulmi i paligjshëm i Rusisë në Ukrainë; agresiviteti në rritje i Kinës; sjellja destabilizuese e Iranit dhe Koresë së Veriut. Të gjitha këto kërcënojnë të krijojnë një botë të karakterizuar nga rreziku, kaosi dhe përçarja. Përballë këtij realiteti të ri, është më e rëndësishme se kurrë që të forcojmë qëndrueshmërinë e vendeve tona.”

Pekini ka kritikuar partneritetin dhe akuzon Uashingtonin se po “provokon rivalitetin dhe konfrontimin”. Por analistët thonë se është agresioni i Kinës në rajonin e Paqësorit që e nxiti këtë vendim.

“Kjo është në fakt një përgjigje ndaj intensifikimit ushtarak shumë agresiv nga ana e Kinës, jo provokim ndaj Kinës”, thotë Mark Kennedy i Qendrës Wilson.

Duke qenë se tre vendet janë demokraci dinamike, analistët parashikojnë që ligjvënësit e tyre do të shqyrtojnë kushtet e marrëveshjes dhe ndikimin e saj në çështjet e sovranitetit dhe shpenzimet qeveritare.

“Ka kritika për këtë marrëveshje, por kjo është normale për mënyrën se si funksionon politika në demokraci. Ambiciet janë vërtet të mëdha, por është po ashtu një provë e madhe”, thotë Charles Edel i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Me aleancën e tyre, tre vendet shpresojnë të përballojnë sfidën që përbën për ta Xi Jinping, njeriu që së fundmi çimentoi statusin si udhëheqësi më i fuqishëm që ka pasur Kina në dekada.