Bislimi dorëzon nominimin për Medaljen e Lirisë Truman-Reagan për Presidentin Rugova në Washington DC

Angazhimi im për kauzën tonë kombëtare dhe ruajtjen e kultivimin e mëtutjeshëm të vlerave tona si komb paqëdashës që mbijetoi jo vetëm pushtuesin e jashtëm por edhe diktaturën e brendëshme, burojnë veç nga zemra.
Në vizitën time Washington, DC, pikërisht në ditën e përvjetorit të 15-të të Pavarësisë së Kosovës (të premte, më 17 shkurt), pata nderin që në Victims of Communism Memorial Foundation (Fomdacioni Memorial i Viktimave të Komunizmit), organizatë e themeluar me akt te Kongresit të SHBA-ve ku bashkëthemelues ishte memtori im i hershëm politik Tom Lantos, të mirëpritem nga Drejtoresha Milda Boyce së cilës ia dorëzova nominimin tim zyrtar për t’i dhënë Medaljen Presidenciale të Lirisë Truman-Reagan (The Truman-Reagan Medal of Freedom), Presidentit Dr. Ibrahim Rugova nga Kosova dhe At Zef Pllumi nga Shqipëria. Këto dy ikona kombëtare do t’i bënin nder edhe vet Fondacionit Memorial te Viktimave te Komunizmit ne DC, por mbi të gjitha do t’i jepnin vulën meritore sidomos sakrificës dhe vizionit fitimtar të Dr. Rugovës që sfidoi suksesshëm një Jugosllavi komuniste e një Serbi gjenocidiale, duke bërë botën perëndimore të njohë këkresën legjitime të popullit tonë për liri e pavarësi!
Lobimi e angazhimi im do të vazhdojë tutje që ky nominim te kurorëzohet me vendimin e VoCMF për dhënjen e këtij çmimi prestigjioz Presidentit Historik të shtetit tonë si dhe shembulltyrës më të ndritur të sfidimit të regjimit të egër komunist të Shqipërisë, At Zef Pllumi!
Sot, kur në SHBA shënohet Dita e Presidentit, uroj që përpjekja ime për t’i dhënë vendin meritor Dr. Rugovës në zemër të Washingtonit dhe për të memorializuar historikun e veprës së tij në një institucion prestigjioz amerikan me reputacion nderkombetar, do të realizohet sa më shpejt!