Mijëra oferta për ta adoptuar, foshnja që lindi nga rrënojat birësohet dhe i vendosin një emër tjetër

Foshnja e lindur nën rrënojat e një ndërtese të shembur në Siri dhe e vetmja anëtare e familjes që i mbijetoi tërmetit, është birësuar nga tezja dhe xhaxhai i saj.

Mijëra njerëz ishin ofruar të birësonin të porsalindurën, e cila ishte ende e lidhur me nënën e saj me kordonin e kërthizës kur ajo u shpëtua.

Ajo u lirua nga spitali pasi një test i ADN-së konfirmoi se tezja e saj ishte e afërme dhe vogëlushja ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

“Ajo është një nga fëmijët e mi tani.Unë nuk do të bëj dallim mes saj dhe fëmijëve të mi”,tha xhaxhai i saj për Associated Press.

Foshnja tani ka marrë emrin e nënës së saj të ndjerë Afraa. Menjëherë pasi ajo u shpëtua, zyrtarët e kishin quajtur Aya, që do të thotë mrekulli në arabisht.

Një video e shpëtimit të saj menjëherë pas lëkundjes u bë virale në rrjete sociale. Pamjet dramatike treguan një burrë duke u larguar me shpejtësi nga rrënojat ndërsa e mbante atë të mbuluar me pluhur në krahë. Afraa thuhet se ka qenë nën ndërtesën e shembur për më shumë se 10 orë dhe mjekët thanë se ajo kishte mbërritur në spital në një gjendje të keqe, me gërvishtje në të gjithë trupin.

Tezja dhe xhaxhai i Afraas mirëpritën gjithashtu një vajzë të tyren tre ditë pas tërmetit.

Ndërtesa në të cilën jetonte familja e saj ishte një nga rreth 50 që thuhet se u shkatërrua nga një tërmet 7.8 ballë në Jidayris, një qytet i kontrolluar nga opozita në provincën Idlib që është afër kufirit turk.

Nëna e saj filloi lindjen menjëherë pas fatkeqësisë dhe lindi para se të vdiste, tha një i afërm. Babai i saj, katër vëllezërit e motrat dhe një hallë u vranë gjithashtu.

“Kjo vajzë do të thotë shumë për ne, sepse nuk ka mbetur askush nga familja e saj përveç kësaj foshnje“, tha Sawadi për Reuters. “Ajo do të jetë një kujtim për mua, për tezen e saj dhe për të gjithë të afërmit tanë në fshatin e nënës dhe babait të saj”, sht0i ai.

Sawadi, i cili ishte i pranishëm kur ajo u shpëtua, i tha Associated Press se kishte qenë i shqetësuar se dikush mund ta rrëmbente Afraan gjatë dy javëve të saj në spital, ndërsa ofertat për ta adoptuar u vërshuan.

Familja e saj që e pranoi tha se vendi më i mirë për Afraan ishte familja, sado e vështirë të ishte gjendja e tyre. Edhe shtëpia e Sawadi dhe gruas së tij Hala u shkatërrua nga tërmeti dhe ata po qëndrojnë me kushërinjtë.