Ukraina në sytë e një mjeku vullnetar

Polaku Damian Duda ishte vetëm 25 vjeç, kur shkoi për herë të parë në Ukrainë më 2014, si mjek vullnetar i ushtrisë. Gati dhjetë vite më vonë, ai ka krijuar një ekip prej gjashtë vetash, të gjithë me përvojë të gjatë në konflikte si ato në Irak dhe Siri. Agjencia e lajmeve Reuters takoi zotin Duda në Varshavë. Rrëfimi dhe pamjet e filmuara nga vetë ai tregojnë historinë e tij dhe situatën e sigurisë në Ukrainë.

Ukraina në sytë e një mjeku vullnetar

Është një raketë e pashpërthyer e ngulitur në tokë, ndërsa në distancë dëgjohen krismat e raketave, që ndryshe nga kjo, nuk dështojnë.

Personi që po komenton pamjet është Damian Duda, 34 vjeç, akademik dhe punonjës i medias, me origjinë nga Polonia, që për gati 10 vitet e fundit shërben edhe si mjek vullnetar i ushtrisë ukrainase.

Zoti Duda rrëfen përjetimet e tij duke përshkruar me fjalë pamjet që regjistron me kamerën e vendosur në helmetë.

“Detyra jonë është të nxjerrim të plagosurit nga vija e zjarrit, t’i japim ndihmën e pare, të ndalim gjakderdhjen, të ndihmojmë rrugët e frymëmarrjes dhe ta çojmë ushtarin në një vend të sigurt ku e pret ambulance. Kisha shumë frikë nga vija frontale. Herën e parë e kisha një të plagosur rëndë, por arrita ta ruaj gjakftohtësinë, po dija si të veproja. E pashë se mund ta kontrolloja frikën duke menduar logjikshmën dhe duke marrë vendime të shpejta”, thotë vullnetari Duda.

Zoti Duda nisi angazhimin e tij, i vetëm, më 2014.

Tani ai ka një ekip prej gjashtë vetash, të gjithë polakë me përvojë në konflikte si ato në Irak dhe Siri.

Ata përdorin automjete të posaçme, ndërsa filmimet nga përpjekjet e tyre i hedhin në rrjete sociale.

Këto janë regjistruar në Soledar në fillim të janarit, qyteti që siç shihet në disa pamjet me dron të agjencisë Reuters, është shkatërruar nga bombardimet. Rusia pretendon se ka pushtuar qytetin.

Për shkak se është vullnetar, nëse zoti Duda vdes, i takon familjes që ta kthejë trupin e tij në shtëpi.

“Nëse ke një copë bukë duhet të jesh i lumtur, sepse e para, ke diçka për të ngrënë dhe së dyti, ke mundësi të hash. Je gjallë. Yjet shndrisin më shumë pas përvojave të tilla. Fakti që mund të shohësh yje tregon se nuk ka dronë. Nuk ka raketa në qiell, thith ajër të pastër. Të qenit atje të bën që të shijosh gjërat e vogla, që normalisht nuk do t’i vije re”, thotë ai.

Të gjithë në ekipin e zotit Duda janë vullnetarë. Ata udhëtojnë në zonat e luftës në ditët e pushimit nga puna e tyre e përditshme./REL