Kurti tregon gjashtë kushtet për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka treguar gjashtë kushtet në mënyrë që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili nuk duhet të ketë kompetenca dhe të zbatohet pas marrëveshjes finale mes dyja vendeve.

1.- Asociacioni duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë mono etnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimi horizontal të komunave sipas kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje,
3.- Të drejtat e pakicave kombëtare, dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit mes dy shteteve respektive.
4. Para vendosjes se Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjithë armëve ilegale.
5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke.
 6 Presidenti serb duhet t’i tërheqë letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe te të tjerat për mospranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Reagoi kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku i cili tha se 2 shkurti është data e pranimit të Asociacionit nga kryeministri, ndërsa akuzoi Kurtin se dialogun e ka futur në qorrsokak.

“Kjo datë e sotme e 2 shkurtit 2023 është datë e pranimit të Asociacionit nga kryeministri i Kosovës, nuk po them që është mirë a keq, mos më keqkuptoni. Tani kryeministri foli për një marrëveshje për një pikë, numër 10, që se dimë, sepse besoni ose jo tash e 6 muaj ky dialogun me Vuciqin, por asnjëherë s’ka ardhur të raportojë në këtë kuvend të Kosovës me deputetët shqiptar dhe jo shqiptar”, tha Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.

“Nuk e thash një kusht, i thash gjashtë. Dhe është e pa drejt që nga 6 kushtet të përmendet vetëm një”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

“Kryeministri foli tre minuta, por se mohoi thelbin kryesor. Asociacioni po bëhet, po bëhet, ky është thelbi i diskutimit të tij” – Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së

“Unë e kam të qartë se ju keni qejf me ua themeluar Zajednicën, por Zajednica nuk kalon. Këtë e keni pranuar ju më 19 prill 2013 edhe më 25 gusht 2015. Ajo nuk bëhet, unë nuk e zbatoj”. – Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës – Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Marrëveshja për formimin e Asociacionit është arritur në vitin 2013. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar, më 23 dhjetor të vitit 2015, se parimet e përgjithshme të Asociacionit, nuk ishin tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës. SHBA-të dhe BE-ja kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociacionin.