Mali i Zi krijon një program hapësinor

Kryeministri në largim, Dritan Abazoviç njoftoi të enjten se Mali i Zi, për herë të parë në historinë e tij, do të nis një program hapësinor. Zoti Abazoviç theksoi se “Ministria e Shkencës do të përgatisë informacionin dhe se zhvillimi i satelitit “Luça”, i cili duhet të lëshohet në hapësirë, është duke përfunduar”.

“Shpresoj që sataliti ynë ‘Luça’ të lëshohet në një të ardhme të parashikueshme, gjatë viteve 2023-2024”, tha zoti Abazoviç. Ai foli me disa novatorë të rinj malazezë dhe me përfaqësues të organizatës së Kërkimit Hapësinor të Malit të Zi, të cilët nisën projektin për lëshimin e satelitit të parë malazez.

Ai theksoi se Qeveria e Malit të Zi përmes Fondit të Novacionit dëshiron t’i inkurajojë të rinjtë që të krijojnë gjëra të reja, duke thënë se ata janë “akullthyesit” që duhet të ndryshojnë imazhin ekonomik, arsimor dhe shkencor të Malit të Zi.

Zoti Abazoviç tha se nisma do të financohet me të ardhurat e krijuara nga Fondi i “Shtetësisë Ekonomike”. “Nuk bëhet fjalë për fonde të mëdha, por kërkon shumë punë. Mali i Zi do të hapë një perspektivë tjetër, të marrë pjesë në aktivitetet e vendeve të tjera dhe të zhvillohet edhe në këtë drejtim”,theksoi Abazoviç.

Projekti i “shtetësisë ekonomike”, i nisur në janar të vitit 2019, Malit të Zi i ka sjellë deri më tani 310 milionë euro.

Por, Këshilli Europian në raportin e fundit i kërkoi Podgoricës që të heqë dorë nga ky projekt dhe t’i harmonizojë politikat e tij të vizave me ato të Bashkimit Evropian.

Ata kujtojnë se në vitin 2021, Mali i Zi ka pranuar 241 aplikime për 807 persona për marrjen e shtetësisë në bazë të investimeve. Mbi këtë bazë, deri në dhjetor 2021 janë lëshuar 264 pasaporta malazeze.

Programi, i planifikuar të zgjasë tre vjet, filloi në vitin 2019 nga qeveria e mëparshme e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç. Nga janari i vitit 2019 deri në fund të vitit 2021 synohej të “shiteshin” 2000 pasaporta, kështu që për shkak të interesit të ulët, Qeveria e Zdravko Krivokapiçit bëri plane për anulimin e tij në fund të vitit 2021. Por, më 30 dhjetor të viti 2021 u vendos që programi të zgjatej deri në fund të vitit 2022 me shpjegimin se investitorët nuk kishin kohë për të përfunduar projektet për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.