Zonja e Parë e Ukrainës kritikon udhëheqësit botërorë

Zonja e parë e Ukrainës kritikoi udhëheqësit botërorë dhe drejtuesit e korporatave pjesëmarrës në Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës se nuk kishin ushtruar të gjithë ndikimin e tyre në një kohë kur agresioni rus sikurse tha ajo, po u merr jetën fëmijëve e po rrit pasigurinë ushqimore në botë.

Në prag të përvjetorit të parë luftës, Olena Zelenska foli të martën për dhimbjet e prindërve që humbasin fëmijët, drojën e fermerëve për t’u kthyer në fushat e mbushura me mina shpërthyese. “Ne nuk mund të lejojmë të ndodhë një tjetër Çernobil”, tha ajo, duke ju referuar katastrofës bërthamore të vitit 1986, ndërsa raketat ruse vazhdojnë të godasin për muaj me radhë, infrastrukturën energjitike ukrainase.

“Nëse ka diçka që u bashkon të gjithëve është ndikimi juaj”, u tha zonja Zelenska pjesëmarrësve. “Por çfarë ju ndan është fakti se jo të gjithë ju e përdorni këtë ndikim, ose ndonjëherë e përdorni atë në një mënyrë që ju ndan edhe më shumë”.

Ajo foli ndërsa qindra zyrtarë qeveritarë, akademikë dhe aktivistë nga e gjithë bota po diskutojnë probleme globale të tilla si uria, ndryshimet klimatike dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike. Megjithatë nuk është kurrë e qartë se sa veprime konkrete do të ndërmerren për të arritur synimin e deklaruar të forumit “përmirësimin e gjendjes në botë”.

“Ne jemi të gjithë të bindur së brendshmi se nuk ka një problem global që njerëzimi nuk mund ta zgjidhë”, tha zonja Zelenska. “Kjo është më e rëndësishme tani, kur sulmi i Rusisë në Evropë po ngre një sërë sfidash”.

Si pasojë e luftës në Ukrainë, janë vrarë mijëra civilë, janë zhvendosur miliona njerëz dhe janë tronditur tregjet ushqimore dhe ato të karburantit në mbarë botën.

Ndërsa inflacioni po rritet dhe pasiguria ushqimore e vendeve në zhvillim po shtohet, zonja Zelenska tha se “është një fyerje për njerëzimin dhe natyrën njerëzore që të ketë uri masive”.

Ukraina dhe Rusia ishin furnizues kryesorë të grurit, elbit dhe furnizimeve të tjera ushqimore për Afrikën, Lindjen e Mesme dhe Azinë, popullsitë e të cilave përballeshin me uri edhe përpara se të niste lufta.

Rreth 345 milionë njerëz në 82 vende po përballen me pasiguri ushqimore, sipas Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, nga 135 milionë njerëz në 53 vende përpara pandemisë dhe luftës në Ukrainë.

Zonja Zelenska paralajmëroi se lufta mund të zgjerohet përtej kufijve të Ukrainës, por “paqja mund të kthehet përsëri përmes bashkimit”.

Bashkëshorti i saj, Presidenti Volodymyr Zelenskyy, do t’i bashkohet përmes një videoje të mërkurën delegacionit ukrainas, të përbërë nga bashkëshortja e tij dhe zyrtarë të tjerë si Ministri i Transformimit Dixhital Mykhailo Fedorov.

Forumi i Davosit është një mundësi për të dërguarit ukrainas për të rritur mbështetjen ndërkombëtare për furnizimin me armë si tanket dhe sistemet mbrojtjëse kundër raketave, por edhe për të ushtruar trysni më të madhe për të izoluar dhe dobësuar më tej ekonominë e Rusisë.

Franca, SHBA, Britania e Madhe dhe vende të tjera po zotohen të dërgojnë armë gjithnjë e më të fuqishme në Ukrainë, si tanke ose mjete luftarake të blinduara.