Korporata e teknologjisë, Microsoft, do të shkurtojë 10.000 vende pune. Ky është rundi i fundit i shkurtimeve të vendeve të punës në këtë korporatë.
Shkurtimi i ri do të prekë deri në 5 për qind të fuqisë punëtore në botë të kësaj korporate dhe do t’i kushtojë Microsoftit 1.2 miliard dollarë për shkëputjen e kontratave dhe riorganizim.
Shefi ekzekutiv i Microsoft, Satya Nadella, tha se përderisa shpenzimet e konsumatorëve u rritën gjatë pandemisë COVID-19, tani më shumë po zgjidhnin të tregoheshin “të kujdesshëm”.
Ai tha se kompania do të vazhdojë të punësojë persona për fusha kyçe.
Qindra kompani të teknologjisë, përfshirë disa prej më të mëdhatë sikurse Amazon dhe Instagram – që është në pronësi të kompanisë Meta – javëve të fundit kanë treguar për planet e tyre për shkurtim të stafit.
Sikurse edhe kompanitë e tjera të teknologjisë, Microsoft pati rritje të biznesit gjatë pandemisë, që u nxit nga puna në shtëpi dhe aktivitetet e tjera online.
Fuqia punëtore e Microsoft u rrit në rreth 40.000 midis periudhës qershor 2021 dhe qershor 2022, kur kjo korporatë raportoi se në total kishte 221.000 punëtorë me orar të plotë, përfshirë 99.000 jashtë Shteteve të Bashkuara.
Por, përderisa biznesi u ngadalësua vitin e kaluar, Microsoft nisi të ndërmarrë disa runde shkurtimesh.