NUK HARROHET KURR RIN MONAJKA (DUKAGJINI)

Nga Fritz RADOVANI

RIN MONAJKA

(11 Qershor 1953 – 1 Maji 1997)

DALTONI NJË GUR: RIN MONAJKA (DUKAGJINI)

Një ditë vjeshte nuk ishte e mujtun shkumja me biçikletë në fshatin Kosmaç, ku në 1968 ishe emnue mësues, prandej u nisa me një kamjon që më zbriti në Barbullush, mbasi shiu nuk pushonte asnjë minut. Porsa zbrita pashë tek një streh tue pi një cigare Zef Monajken (Dukagjinin) (1919 – 1984), të cilin e njifshe prej vitësh.

Me vrap shkova edhe unë aty, ku Zefi, më shpjegoi se kishte zyren dhe kishte dalë për pak minuta jashtë… Tue qeshë, i thashë: “A sheh pra, mos t’ishte cigarja nuk do të shiheshim?!” Hyna në dhomën e Zefit dhe fillueme bisedën aty ku kishim mbetë, ndoshta disa muej ma përpara. Pamja e Tij ezmer dhe me mustakë të hollë, nuk i shtonte asnjë vit moshës së tij! Zef Monajka asht kenë një ndër Burrat ma intelektual të Shkodres. Nuk do të zgjatëm në përshkrimin e aktivitetit të Tij mbasi vdekja e Zefit vërtetë kje e papritun, por edhe e pa kohë.

Kur pata shkue për një vizitë mbas disa javësh të vdekjes së Zefit, djali i Tij Rini, më pat tregue disa punime të Babës së vet, që i ruente me kujdes e ndër të cilat nuk më harrohet një skicë letrare ku Zefi, përshkruente shkuemjen e Tij në një dyqan vojigurit, dikund kah stadiumi i qytetit. Mënyra e vëndosjes bidonave, pritja në rradhë, qendrimi me orë të tana dhe.., në fund, shitsja tue thanë: “Mos pritni ma se voji i gurit u mbarue e nuk del veç edhe për dy vetë!…”, ishte një përshkrim aq i saktë për me kuptue atë mjerim që kishte mbulue Shqipninë nën diktaturën komuniste sa ndoshta, me vështirsi e gjenë sot atë skicë kryeveper në letërsinë  e vendëve të Lindjes komuniste.

Rini ishte i ri, i datlindjes 11 Qershor 1953, një djalë i shndetshëm, i gjatë, trup sportisti dhe me një pamje mjaft të hijshme. Binte në sy për pashinë e Tij në grupet rinore të pjacës së asaj kohë. Inteligjent dhe i edukuem tej mase.

I ati kishte punue me Té tue i mësue edhe gjuhë të hueja si gjermanishtën dhe italishtën. Shfrytzonte leteraturën e një biblioteke që pak kush e kishte si ajo që ruente daja i Tij Luigj Shestani. Pergatitja e këtij djali jepte shumë e shumë shpresa për t’ardhmën. Kryesore ishte fryma Atdhetare dhe fetare që ishte brumosë në formimin qytetar të këtij djaloshi. Kuptohet se në një familje si ajo e Zef Monajkës nuk mungonte edhe edukimi shpirtnuer antikomunist.

Kjo edukatë asht kenë mjaft me pasoja kur punohej pa kujdes nga prindët, por në rastin tonë, ku Zefi kishte kalue një jetë me frikë dhe me roje të madhe, puna ishte ba me aq kujdes sa tek djali i Tij Rini, vetëm kur besimi ishte i plotë me biseduesin mund të kuptohej një gja e tillë tek Ai.

Vitët 1984 – 85 ishin vite të ringjalljes së shpresave nga të gjithë shqiptarët. Ishte ajo kohë kur Shtrausi i Gjermanisë kishte fillue me lëvizë perden e hekurt të Shqipnisë. Takimet e Tija me drejtuesit e lartë të shtetit komunist shqiptar sillnin në horizontin tonë të zymtë shpresën e një ndryshimi krejt të pabesueshëm, mbasi dhuna e tejzgjatun e sistemit komunist diktatorial e kishte mbytë çdo andërr të së ardhmës. Shqiptarët dinin se çka asht ba e çka po bahet, por për të ardhmën çdo shpresë ishte pothuej e humbun. Askush nuk i besonte ndryshimet që mund të baheshin në drejtim të hapjes së kufinjve, të besimëve fetare, të lirimit të burgosunve politik apo në ekonominë e tregut, kur ndër dyqane gjindej vetëm shitësi, banakët pa asgja në ta dhe një peshore pa punë.

Mbas shkumjes në Gjermani të “profesorve” Foto Çami dhe Dhimitër Dhora, erdhi e u venit gjithshka. Ardhja e një delegacioni nga Gjermania Lindore e Onekerit, i kryesuem nga ministri i jashtëm i saj, mbas takimit me Ramiz Alinë, tregoi kjartë se Ramizi kishte mbetë vetëm një “shegert” i tregtarëve batakqinjë të pazarit të vjetër të Ballkanit dhe asgja ma shumë, që fatkeqsisht po tallej me shansin historik të Popullit Shqiptar të martirizuem. Ajo që ndodhi në vjeshtën e 1988 me Shqipninë asht fatkeqsia ma e madhe historike mbas Luftës së Dytë Botnore, mbasi ishte hera e parë që Shqipnisë i ofrohej një e ardhme me një prospektivë madhshtore nga një prej supërfuqive ndër ma të mëdhatë e ma të zhvilluemet e Botës, siç ishte aso kohe Gjermania Përendimore, e pa angazhueme endè me pjesën e vet Lindore. Angazhimi i Ramiz Alisë ishte: “Se edhe bar do të hajmë e parimet nuk i shklasim!.” Ky asht krimi ma i madh kundër Popullit e Atdheut të vet.

Po, a u mjaftue me kaq ?

– Jo, sepse në mbrendinë e tij ziente krimi. Këte e vërtetojnë kufomat e djelmëve të rijë të mashtruem ndër kufinj, të shporuem nga qindra plumba automatiku dhe të lidhun në hunjë me tela me ferra, tue u shetitë ndër pjacat e qyteteve të të gjithë Shqipnisë vetem me ushtrue terror.

Ky ishte “ligji” me të cilin mashtruesi komunist gënjente dhe “shpërblente” rininë shqiptare, në pragun e shpërbamjes së sistemit të vet aq të dashtun.

Muri i Berlinit ra! Ora e Lirisë nuk ndalej!

Në dhetorin e 1989, Çaushesku jep shembullin e “ruejtjes së parimëve komuniste” bashkë me të shoqen.

Shqipnia vazhdonte udhën e martirizimit komunist.

Me 14 Janar 1990, u thye njëherë e përgjithmonë miti i atij sistemi përbindsh!

Demostrata e heshtun në Sheshin e Dëshmorve të Shkodres, njofton Tiranën endè të kuqe se komunizmit gjakatar i erdhi fundi.

Mija vetë të grumbulluem në atë Shesh, presin rrëzimin e bustit të diktatorit terrorist gjeorgjian Stalin. Mija vetë drejtue sytë nga toka, presin kur po shprazën mbi kokat e tyne automatikët nga dritaret e hotel Turizmit, Sahatit Inglizit apo apartamentit mbi PTT e qytetit, që ishin të mbushun me sampistët kriminel të ardhun nga Tirana vetem per gjakderdhje.

Mendohej vetëm masakra ndaj Rinisë “rebele” shkodrane. Mungonin disa djelm të cilët një natë ma parë ishin tradhёtue e kapë nga forcat speciale të sigurimit t’ardhuna për këte qellim nga Tirana, të kryesueme nga krimineli Zylyftar Ramizi.

Mikrobuzët e bardhë të poliklinikës vazhdonin fotografimet dhe gatishmëninë!

Mungonte edhe Rini Monajka, djali trim që kishte njoftue Ambasadën Gjermane për aksionin e organizuem me këte rasë. Rini ishte ndër kryesorët e kësaj vepre heroike me të cilën do t’i tregohej Botës mbarë, se në Shkoder gjaku i Martirve të ramë nën shpatën e diktaturës komuniste po vlonte në damarët e Rinisë dhe se, nuk kishte shkue huptë.

Numri i të arrestuemve i kalon të 120 të rinjë e të reja, që torturohen mizorisht nga organet e Sigurimit. Një pjesë përcillen për Tiranë ndër labirintët e zymta të Ministrisë së terrorit. Shumë familje në ankth nuk dinë ku i kanë djelmët e vajzat e tyne mbasi nuk fliste askush per ata.

Mbas disa muej tortura e vuejtje një grup u dënue me nenët 57 dhe 55 të Kodit Penal të RPSSH, që ishte në fuqi më këte motivacion: “Për krijimin e një organizate kundër revolucionare me karakter antisocialist. Për krime kundër Shtetit dhe për përmbysje të tij me dhunë.”

Pra, siç shihët, rruga e hetimëve të çonte drejtë plumbit.

Ndër ta ishte edhe Rini. Nuk mjaftonte fraktura e kafkës së kokës në tortura, por duhej të vuente edhe me burg. Qendrimi i Tij burrnor asht një model i qendresës kundrejt diktaturës ma mizore që ka përjetue Shqipnia për 47 vjet. Rini u torturue me mjetet ma të paligjëshme, endè sot askush nuk ka mbajtë asnjë përgjegjsi, përveç asaj që terroristët janë të penduem për çka nuk kanë mujtë me ba!

Kampi i Qafë Barit dhe Burgu i Burrelit ishin e ardhmja e Rinit.

Një çudi ndaj kësaj demostrate në Shkoder ishte qendrimi jo dashamirës i të gjitha shtetëve fqinjë. Jugosllavia sigurisht parandjente diçka, e justifikueshme.

Një stacion i radios greke pak muej para kishte transmetue: “Sikur të hapën kufinjtë e Shqipnisë, nuk kanë me mbetë as breshkat aty, edhe ato do të ikin!”, edhe kjo ishte një e vërtetë e pamohueshme. Koha sot e provoi edhe këte!

Italia si gjithnjë përsëriti qendrimin e saj që ka mbajtë përgjatë shekullit XX.

Me datën 16 Janar 1990, pra dy ditë mbas Demostratës, demokristjani i njohtun Roco Butiglione, jep një deklaratë për shtypin: “Me datën 14 Dhjetor unë isha në Shkoder, po gjendja në atë qytet ishte shumë e qetë. Nuk më ka ra në sy ndonjë demostratë.” Me plot gojë një turp për atë deputet të demokristjanës italiane. Ai me të vërtetë ka kenë në Shkoder, madje edhe në Kafe të Madhe, edhe i ulun tek dritaria e tretë pranë xhamit në krahun e djathtë të Kafes, sëpse e kam pa unë me sytë e mij në ora 11.15’, pikërisht, kur në shesh ishin mbi 4000 vetë në Demostratën e heshtun dhe zotni demokristjanit nuk i kishte ra në sy asgja, tue kenë jo ma larg se 20 ml. nga busti i Stalinit. E çka me pritë nga socialistët?

Në vitin 1991, Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shkodres, vetë i Ndjeri Kryetar Ferdinand Temali, kërkoi me forcë lirimin e të dënuemve për rrëzimin e monumentit të diktatorit Stalin. Me pjestarët e grupit u lirue edhe Rini Monajka, ndonse i gjymtuem nga shndeti. Kur e takova mbas lirimit ndjeva vërtetë një knaqësi që Ky djalë ishte i lirë dhe gjithmonë me shpresë se do të përmirësohet edhe me shëndet, mbasi ngjyra e verdhë e ftyrës vazhdonte me e shoqnue.

Mbas lirimit nga burgu, Rini ashtu si shumë të tjerë që dhane kontributin e Tyne, tue rrezikue jetën për të ardhmën demokratike të Shqipnisë, u harruene.

E pabesueshme, madje shumë shpejtë!

Kishe shumë dëshirë që ti jepej mundësia e një kurimi të mirë kur mora vesh se iku Rini në Austri. Ishte një shans i mirë per Shqiptarët Ai vend.

Por ndodhi e kundërta. Pikrisht ajo që nuk pritej.

Ndoshta, ”autoambulanca” e paharrueshme që me 14 Janar 1990, qendronte para hotel Turizmit në Shkoder, e kishte ndjekë deri në Austri Rinin, deri në Villach, ku me datën 1 Maji 1997, Rini Monajka mbylli sytë krejt i vetmuem.

Këta pak rreshta në Shenjë mirënjohje, për ditët e Lirisë që punoi Rini, ia kushtova në 70 vjetorin e Lindjes së Këtij Ylli, në qiellin e pafund të Demokracisë sonë.

Dikur, në krahun e majtë të monumentit të Luigj Gurakuqit ishte një gur mermeri i daltuem. Ishte mendue mbi Té me u vendosë një Shqipe me krah të hapun, simbol i së ciles ishte ruejtja nën krahët e saj: “Lavdia e Deshmorëve të Lirisë”. Një ditë guri kaloi nga hoteli Turizmit e, sot nuk e dij a asht aty.

Do të ishte me vlerë për Qytetin e Shkodres, që në Parkun mbas Monumentit të Luigj Gurakuqit, të vendoseshin disa Gurë të daltuem (25 X 35 cm.) me emnat e Martirve dhe të Dëshmorve të Shkodres, ku në një prej këtyne Gurëve, duhet daltue nga Rinia Shkodrane edhe emni i nderuem i shkodranit të paharrueshëm: RINI MONAJKA (DUKAGJINI) 1953 – 1997.

Nderim dhe respekt per Emnin e Perjetshem të RIN MONAJKËS !

Melbourne, 12 Janar 2023.