Ngrohja globale po kërcënon gjithnjë e më shumë botën në çdo cep të saj. Për shkak të ndryshimeve klimatike Europa po përballet me një dimër të ngrohtë dhe të lagësht shumë larg normales. Edhe pse është janar temperaturat janë të larta dhe madje edhe në lartësi deri në 2000 metra ato shënojnë mbi zero.

Mungesa e dëborës gjithashtu po rrezikon edhe sportet dimërore por dhe ekonominë e resorteve të skive dhe komuniteteve jetesa e të cilëve varet nga këto sporte.

Zvicër temperaturat e vitit të ri arritën rekord prej 20 gradë Celsius, më e larta e regjistruar ndonjëherë në veri të Alpeve gjatë muajit në janar. Kjo ka bërë që shumë resorte skish të mbyllen deri në një njoftim të dytë, ndërsa dhe aty ku ka pak prani dëborë është e lagësht dhe e qullët e papërshtatshme për sporte dimërore.

Kjo vuri në pikëpyetje edhe zhvillimin e Kupës Botërore të Skive, pasi shpatet e zakonshme me borë janë me baltë dhe bar. Zgjidhja duket se është gjetur përmes borës artificiale që kërkon një konsumim mjaft të lartë të ujit. Kjo nuk është ideale pasi Zvicra e ka ruajtur me kujdes ujin këtë dimër në mënyrë që të jetë në gjendje të gjenerojë mjaftueshëm energji hidrocentrale për të zëvendësuar mungesat e energjisë së gazit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Në Zvicër disa resorte kanë hapur shtigjet e tyre të biçikletës verore në vend që të përpiqen të ofrojnë sporte dimërore. Të tjerë thjesht kanë mbyllur resortet e tyre të skive për një kohë të pacaktuar./rtsh.al/