VARGJE FESTIVE
Gëzuar!
Zgjate dorën, cakërro gotën
Ti andej bjeshkëve tretur
Unë këndej, zhytur në lumë etje
Mendimet valëviten oqeaneve
Përmes lotëve n ‘vetmi protestojnë
Kur dallgët çmenden n ‘dashuri
Të përqafoj ty…
Zgjate dorën nga larg, ”gëzuar Viti i Ri!…”
Dielli i natës po tretet zorshëm
Si i dehur eci rrugëve të vrarë ëndrrash
Pikas shikimin në fytyrën tënde,
Përqafimeve përmallshëm përkundet jeta
Atje, përtej bjeshkëve të djegura
Ngulfatet gëzimi
Gëzuar! Gëzuar!
Zgjate dorën
Dua të vdes në përqafime sonte!…
DYZEN KRISMASH FESTIME
Ecni u fola këmbëve pas mesnatës
Dhimbjeve ua ktheva shpinën,
Të strehuara brenda ashtit u shtrinë
Rrugëve të qytetit nuhas copa fishekzjarrësh
Të tërbuara nga kallje aventurierësh të çmendur
Të dehur nga kotësia e natës festive
Rrugicat kundërmonin në vjellje helmuese
Asnjë qen nuk takova sokakëve
Kishin futë kokën kontejnerëve
Nga krismat kishin emigruar maleve
Qielli zbukuruar me “ylber” kontrastesh
Alfabet i pashkruar dëshirash…..
E atje, atje në veri përplasje
Ulërin ariu polar me dergjen e vjetër
Ngul dhëmbët si acar…
Sërish u fola hapave të mi:
“sa më larg nga kënaqësi e hidhur!…”
Vazhdova gjumin me dhimbje ashti
Mes krismash festive….
Gjakovë, Janar, 2023