– Protesta e PAN-it dhe e “veteranëve” të tij, kundër Amerikës! – 

IDRIZ ZEQIRAJ

     Protestat e dhunshme huligane e kriminale, të mars-prillit 2004, të projektuara nga Serbia, por të realizuara nga partitë-banda të PAN-it, përkatësisht, PDK, AAK, NISMA, së bashku me të ashtuquajtura “Shoqata të dala nga lufta”, rezultuan fatale për Kosovën! Huliganët, të instruktuar dhe të prirë nga krerët partiakë, të handakosur, me vetëdije apo pavetëtdije për pasojat, sulmuan pleq e plaka serbe, duke u vënë zjarrin shtëpive dhe kishave të tyre. Argatët e Serbisë, nuk kursyen nga zjarri as Flamurin e Dardanisë Antike!
     UNMIK-u i pikasi organizatorët dhe sulmuesit faktikë. I arrestoi, i mbajti disa muaj në burg dhe, si me sustë, i liroi, edhe pse vandalizmi i tyre shkaktoi 19 viktima, në mesin e tyre 11 shqiptarë, kryesisht, të rinj të mashtruar. Psenë e di UNMIK-u, por edhe ne dimë mjaftueshëm, për këto krime të pandëshkuara. Rrjedhojat dihen: “Nuk jetohet me shqiptarët”,- reaguan serbët pakicë dhe, ndërkombëtarët e gjetën zgjidhjen, të ofruar nga Serbia, vendosën për decentralizimin, duke krijuar – fshat e komunë -, ku kishte popullatë shumicë serbe!
     Dhe, nga -Decentralizimi-, oreksi për zgjërimin e kompetencave u shtuan, për të ardhur ke -“Zajednca”-, e cila, sot, ka bllokuar Kosovën, si shtet. Kjo është “dhuratë” nga disa komandantë – hafije të Serbisë -, gjithnjë, nën urdhërat e shefave të partive të tyre. Pra, krimi i pandëshkuar, prsëritet. Dhe, kjo po dëshmohet me protestën e paralajmëruar nga tellalli i PAN-it, Dardan Molliqaj, me “partinë” e tij fantomë, PSD, dhe “Shoqatat e dala nga lufta”, me akronimin “OVL të UÇK-së”, pra, “veteranët” e rremë të PAN-it.
     Qëllimi i protestës të PAN-it, me autorësi të rreme, kinse, e PSD-së të Molliqaj, dhe “veteranët” e PAN-it, është i qartë: Zhbërja e Gjykatës Speciale, përmes ndryshimit të Kushtetutës, rrjedhimisht, lirimit të akuzuarëve aktual, për krime të luftës në Hagë dhe amnistimin nga akuzat të komandantëve, në pritje të arrestimit. Dhe, kur dihet se kjo Gjykatë është themeluar, ekskluzivisht, nga amerikanët, kjo protestë është, qartësisht, kundër Amerikës!
     Vardisja e vizitave, si në “haxhillëk” në Hagë, nga horrakë e provokatorë, të familjeve të viktimave të terrorit të kuq të  komandantëve, në veçanti, dhe të shqiptarëve, në përgjithësi, është poshtërsi dhe imoralitet i skajshëm. Përjashto, këtu, familjarët e tyre dhe zyrtarët, që detyra zyrtare i lidhë me mbikëqyrjen e të drejtave të akuzuarëve, të gjithë të tjerët janë aprovues të krimit, rrjedhimisht, pjesë e krimit.
     Kjo flet edhe për mungesën e seriozitetit, të kësaj Gjykate, me dyshimin edhe për pazaret e pista korruptive, siç edhe ka ndodhur më parë, me një Gjykatë të ngjashme. Harrohet se Kosova ka 800 dëshmorë të luftës, por ka 1.826 viktima të vrasjeve politike dhe të dëshmitarëve, si ushtarakët luftëbërës të FARK-ut, përfshi edhe Ministrin e Luftës; bashkëpunëtorët e Presidentit Rugova; veprimtarët e LDK-së; gazetarë – reporterë me integritet të luftës, njëherësh, edhe denoncues të krimeve politike; si dhe kuadro të hershëm të LPK-së. Dhe, kjo është rivrasje e viktimave. Kriminelët e PAN-it dhe llumëhania që u mbanë -isonë-, si në kor, kur mbrojnë krimin dhe kriminelët, flasin në emër të popullit, duke “harruar” se tej 85 % e sondazheve, kërkojnë, madje, ngulmërisht, ndëshkimin e krimit dhe të kriminelëve.
     PAN-i, me argatët e tij, është i ndjeshëm, kur ia kujtojnë krimet e djeshme. Dhe, kërcëjnë “si zorra në prush”. Kujtoni rastin, kur vajza dinjitoze e krenare e Jusuf Gërbvallës, Donikë Gërvalla, deklaroi se krimi në Kosovë ka emër dhe mbiemër, reagimi ishte i ashpër dhe fushata kundër saj vazhdon. Sepse e vërteta dhembë.
     Njëjtë po ndodhë, sot, edhe me letrën-analizë, të shkruar nga kryetari i Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja dhe të aprovuar nga Kryesia e saj. Sepse, edhe zyrzarisht, denoncohen dhe pranohen krimet vrastare, hajnia zyrtare, haraçi i përgjakshëm, gabitja e pasurive shtetërore, tenderimet korruptive, kapja e sistemit të drejtësisë dhe e të gjitha institucioneve shtetërore. Rrjedhimisht, shkatërrimi i bërthamës shtetërore, tradhtia e madhe ndaj Kosovës, deri në tjetërsimin e trojeve tona!
     Pavarësisht përpjekjes, për ta lokalizuar autorësinë e letrës-analizë, prej 36 faqësh të përmasës A4, kohëzgjatja, nga shkruarja fillestare, rishkruarja e mëvonshme, ose variant i dytë, flet qartë e bindshëm, se opinioni i shprehur në atë letër, është kolektiv, pra, i Kryesisë të Akademisë. Edhe pse Akademia, si zë intelektual kolektiv, ka heshtur gjatë kohë, për këto probleme domëthënëse, për vendin, shpërthimi i saj, në vulosjen e së vërtetës, ngushëllon, sado pak.
    Fushata aktuale kundërshtuese, ndaj ASHAK, madje, edhe akuzuese, por, tërësisht e pabazuar e deshtake, që nga kupola e PAN-it, e deri ke lakejtë e tij të bollshëm, është “lehje në hënë”, sepse krimet dhe tradhtia e disa të ashtuquajtur komandantë, ka ndodhur. Marrosja e kritikuesëve, ndaj Akademisë dhe kryetarit të saj, Kraja, shpërfillë çdo logjikë njerëzore, kur thonë se “nuk është punë e Akademisë të merret me politikë!” Kemi parë dhe po shohim se si po belbëzojnë e shkumojnë, analistë dhe banalistë të paguar të PAN-it, duke shpërfaqur injorancën mjeruese dhe rrugaçërinë e tyre kulmuese, në përpjekje për të mbrojtur krimet dhe tradhtitë e padronëve të tyre!
     Përpjekja për ta krahasuar letrën e Akademisë të Kosovës, me at të Akademisë serbe, në kohë lufte, është krahasimisht e kundërt. Vërtet, serbët kanë vrarë shqiptarë, por, nuk kemi dëgjuar që ata të kenë vrarë serbë, gjatë dhe pas luftës, siç ka ndodhur me disa nga “komandantët” tanë, të cilët kanë vrarë bashkëkombasit e tyre, për pushtet dhe pasuri!
     Por, siç thotë populli: “Marrja nuk ka mbytur askënd!”